Ministria e Infrastrukturës ka bërë të ditur se ka finalizuar kontratat për realizimin e punimeve që synojnë përmirësimin e sigurisë në autostradën “Ibrahim Rugova”, pas shqetësimeve të ngritura lidhur me gjendjen e disa segmenteve të saj.
Projekti parashikon sanimin e skarpateve dhe stabilizimin e terrenit në disa pika të autostradës R7, ku janë identifikuar rrëshqitje që kërkojnë ndërhyrje teknike të specializuara.
Në njoftim thuhet se punimet do të zhvillohen në tri lote të veçanta.
“Loti i parë përfshin ndërhyrjet në kilometrin 72.4, me një vlerë prej mbi 2 milionë eurosh. Loti i dytë mbulon dy lokacione në kilometrat 69.1 dhe 63.4, ndërsa loti i tretë ka të bëjë me sanimin e një rrëshqitjeje në kilometrin 44.0 të autostradës”.
Vlera e përgjithshme e investimit arrin në afro 4.7 milionë euro, ndërsa sipas ministrisë, operatorët ekonomikë pritet të mobilizohen dhe të nisin punimet në ditët e ardhshme.
Institucioni përgjegjës ka theksuar se projekti synon rritjen e nivelit të sigurisë për qarkullimin e automjeteve, si dhe mbrojtjen afatgjatë të infrastrukturës rrugore.
Lidhur me kritikat dhe debatet e fundit për vonesat në realizimin e ndërhyrjeve në këtë segment, ministria ka sqaruar se procedurat e prokurimit kanë qenë në shqyrtim nga organet kompetente dhe se nuk ka pasur mundësi ligjore për të ndikuar në procesin e vendimmarrjes deri në përfundimin e tij.
