ShowBizzz

Pas një aksidenti me motor, ndërron jetë TikTokeri Laurent Krasniqi

Motoçiklisti që humbi jetën sonte në një aksident trafiku në fshatin Llukar të Prishtinës është influenceri dhe ish-banori i “Big Brother VIP Kosova”, Laurent Krasniqi.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:20 dhe në të janë përfshirë një automjet dhe një motoçikletë.

Si pasojë e përplasjes, motoçiklisti ka pësuar lëndime të rënda.

Krasniqi, i lindur në vitin 1997, është dërguar në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) nga ekipi i Ndihmës së Shpejtë, pa shenja jete.

Sipas njoftimit të drejtorit të Klinikës Emergjente, ekipi mjekësor ka ndërmarrë të gjitha masat e reanimimit, por plagët e marra kanë qenë fatale. Vdekja e tij është konstatuar në ora 21:40.

“Një i lindur më 1997, i sjellë nga ndihma e shpejtë pa shenja jete, aksident komunikacioni, i rrëzuar nga motori. Edhe përkundër të gjitha masave të RCP-së nga ekipi kujdestar, pacienti nuk mund t’u përballojë plagëve të marra dhe ndërron jetë në ora 21:40”, thuhet në njoftim.

Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën se në fshatin Llukar të Prishtinës ka ndodhur një aksident trafiku. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira një automjet dhe një motoçikletë. Si pasojë e aksidentit, motoçiklisti ka vdekur. Vdekja e viktimës, mashkull, është konstatuar nga ekipi mjekësor në QKUK. Me rastin po merret njësiti rajonal i trafikut”, ka deklaruar Ahmeti.

Laurent Krasniqi ishte bërë i njohur për publikun përmes rrjeteve sociale, ndërsa më pas mori pjesë edhe në “Big Brother VIP Kosova”, ku gjatë qëndrimit të tij në shtëpi tërhoqi vëmendjen e publikut.

Ai ka humbur jetën tragjikisht në moshën 29-vjeçare, si pasojë e plagëve të marra në aksidentin me motoçikletë.

Të Ngjashme