Deputetët e zgjedhur të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës janë paraqitur edh ditën e sotme në seancën të Kuvendit të Kosovës.
Ata në ulëset e kuvendarëve, kanë shpërndarë vendosin letra ku shkruhet: Respektoni Kushtetutën.
Në letrën drejtuar deputetëve të shumicës, PDK u kërkon atyre që mandatin ta ushtrojnë në emër të qytetarëve dhe jo sipas interesave apo urdhrave partiakë.
“Kushtetuta është mbi partinë, Republika është mbi liderin politik dhe mandati qytetar mbi urdhrin politik”, thuhet ndër të tjera në letër.
PDK u ka bërë thirrje deputetëve të shumicës që të marrin përgjegjësi individuale për funksionalizimin e Kuvendit, duke theksuar se një detyrim kushtetues nuk mund të kushtëzohet nga kalkulimet politike.
Në letër përmenden edhe pasojat që bllokada institucionale po ua shkakton qytetarëve, në një periudhë kur familjet po përballen me përgatitjet për vitin e ri shkollor, shpenzimet e dimrit, çmimet, tatimet dhe problemet ekonomike.
“Qytetarët tanë nuk mund të presin pafundësisht. Për këto probleme duhet të punojnë institucionet dhe për këto nevoja duhet të flasë Kuvendi”, thuhet në mesazh.
Letra përfundon me një thirrje të drejtpërdrejtë për deputetët:
“Respektoni betimin tuaj. Respektojeni mandatin tuaj. Respektojeni Kushtetutën. Konstituojeni Kuvendin. Bëjeni detyrën tuaj”.
Paraditen e sotme këta deputetë janë paraqitur para dyerve të Qeverisë së Kosovës ku kanë kërkuar që të vazhdohet seanca për konstituimin e Kuvendit.
Bllokada për formimin e institucioneve të Kosovës po vazhdon për faktin se nuk po arrihet kompromis nga partitë politike.
