Lajme

PDK e Aleanca sërish në sallë, kërkojnë konstituimin e Kuvendit

Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës janë mbledhur sërish në sallën e Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që institucioni legjislativ të konstituohet sa më shpejt.

Deputeti i PDK-së, Albin Krasniqi, tha se situata në vend që nga 8 gushti nuk është normale, duke kritikuar mosrespektimin e Kushtetutës, ligjeve dhe Rregullores së Kuvendit.

Ai kërkoi nga kryesuesi i seancës konstituive që të thërrasë seancën, duke theksuar se nuk mund të procedohet me çështje të tjera institucionale pa u konstituuar Kuvendi.

“Që nga data 8 gusht Kosova nuk është më në situatë normale. Kushtetuta, ligjet dhe rregullorja e Kuvendit nuk respektohen, krijohet një precedent i rrezikshëm. Kjo nuk mund të normalizohet. Mandati i deputetit nuk është privilegj por përgjegjësi. Andaj i bëj thirrje kryesuesit të seancës konstituive që ta thërras seancën. Nuk mund të flasim për zgjedhje të presidentit kur institucioni kryesor vazhdon të jetë i pakonsitutuuar. Asnjë indivit nuk është mbi kushtetutën. Qytetarët na kanë votuar për të krijuar institucione. Kosova nuk mund të mbahet peng”, tha Krasniqi.

Edhe deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, kritikoi shumicën për, siç tha ai, vazhdimin e shkeljeve të Kushtetutës.

Tahiri theksoi se Kushtetuta duhet të jetë udhërrëfyes për çdo zyrtar publik dhe se deputetët kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve që i kanë votuar.

“Dobësimi dhe rrezikimi i shtetit nuk vie vetëm nga keqqeverisja, por ai vie edhe nga kryeneqësia dhe vazhdimi i shkeljeve zingjirore të kushtetutës si akti më i lartë i një shteti. Ata munden të zgjedhin cilindo nen. Kushtetuta si akti më i lartë i një shteti është korniza që e kufizon sjelljen e secilit zyrtarë publik. Kushtetutën duhet ta shohim si detyrim. Ndërsa betimin e deputetit si të shenjtë. Sot Kosova është duke e dobësuar veten edhe në rrafshin e brendshëm. Sot deputetët po e shkelin aktin më të shenjtë. E partia që ka fituar zgjedhjet po shkel aktin më të lartë”, tha Tahiri.

PDK dhe Aleanca, tash e disa ditë, po paraqiten në sallën e Kuvendit çdo 48 orë, duke kërkuar konstituimin e tij. Krahas kësaj, këto dy subjekte politike po zhvillojnë edhe protesta para objektit të Qeverisë së Kosovës.

Të Ngjashme