Lajme

PDK-ja paralajmëron mobilizim jashtë Kuvendit

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës,deputete e zgjedhur, Vlora Çitaku ka thënë se mosthirrja e seancës konstituive nga Lëvizja Vetëvendosje është suspendim i rendit kushtetues.

Në një konferencë për media ajo ka thënë se deputetëve po u pamundësohet ushtrimi i mandatit të tyre.

“Kur vullneti i një partie vendoset mbi Kushtetutën, mbi rregullat dhe mbi institucionet, atëherë kemi suspendim praktik të rendit kushtetues dhe mbizotërim të vullnetit partiak mbi Republikën. Kuvendi është mbyllur. Deputetëve po u pamundësohet ushtrimi normal i mandatit të tyre. Por këto mandate nuk na i ka dhënë Albin Kurti. Mandatet tona na i kanë dhënë qytetarët e Kosovës. Më 7 qershor, qindra mijëra qytetarë kanë dalë në zgjedhje. Kanë votuar dhe na kanë dhënë mandatin që të hyjmë në këtë Kuvend dhe t’i përfaqësojmë”, tha ajo.

Çitaku theksoi se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka refuzuar ta përmbushë detyrimin e tij institucional dhe ta thërrasë vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.

“Dje, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës i është drejtuar zyrtarisht z. Dehari, duke kërkuar që sot, më 12 gusht, të thirret vazhdimi i seancës. Kjo ishte kërkesa jonë e parë zyrtare dhe një mundësi që z. Dehari dhe Lëvizja Vetëvendosje të reflektonin, t’i ktheheshin kornizës kushtetuese dhe të mundësonin vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit. Fatkeqësisht, nuk e bënë. Z. Dehari po refuzon të veprojë në përputhje me Kushtetutën, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit dhe po i nënshtrohet vullnetit politik të partisë së tij. Dhe kjo nuk është shkelja e parë. Fillimisht, Kuvendi nuk u konstituua brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Më pas, u shpërfill detyrimi procedural për vazhdimin e seancës konstituive çdo 48 orë. Tani, edhe pas kërkesës sonë zyrtare, refuzohet thirrja e vazhdimit të seancës”, shtoi Çitaku, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Ajo njoftoi se PDK përsëri do t’i drejtojë kërkesë Avni Deharit për mbajtjen e seancës konstituive pas 48 orëve dhe paralajmëroi se aktiviteti i PDK-së do të zhvendoset edhe jashtë Kuvendit në forma më të gjëra të mobilizimit politik, demokratik dhe qytetar.

“Republika është mbi secilin prej nesh, Kushtetuta është mbi çdo parti dhe Kuvendi duhet t’iu kthehet qytetarëve. Ejani në Kuvend, ejani takohemi në sallën e Kuvendit të Kosovës. Ejani i konstituojmë institucionet. Ne do të jemi çdo ditë këtu”, tha ajo.

Çitaku paralajmëroi se PDK do t’i drejtohet Inspektoratit Policor për pjesëtarët e sigurisë që cenuan integritetin fizik të disa prej deputetëve të PDK-së sot në sallën plenare.

“Sot pamë edhe disa pamje jo të këndshme në Kuvend, në sallë. Kishte deputetë të shoqëruar nga pjesëtarë të sigurisë, të mbrojtjes së afërt, të cilët cenuan edhe integritetin fizik të disa prej deputetëve të PDK-së. Edhe për këtë çështje, ne do të ndërmarrim masa në inspektoratin policor të Republikës së Kosovës”, shtoi ajo.

Deputetët e PDK-së sot përmes prezencës në sallën plenare i janë përgjigjur detyrimit të tyre kushtetues dhe ligjor për konstituimin e Kuvendit.

Të Ngjashme