Lajme

PDK jo e plotë bllokon hyrjen në Qeveri

13.08.2026 – 08:41

Çitaku: Nuk jemi këtu për puç, Kurti duhet të jetë në Kuvend

Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës po qëndrojnë para hyrjes së ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar që seanca konstituive e Kuvendit të thirret dhe të mbahet gjatë ditës së sotme. Ata kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë veprimet e tyre dhe, sikurse një ditë më parë, do të jenë të pranishëm edhe në Kuvendin e Kosovës.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka deklaruar se qëndrimi i deputetëve të kësaj partie para objektit të Qeverisë nuk ka për qëllim ndonjë puç, por, sipas saj, rikthimin e funksionimit kushtetues të institucioneve.

Çitaku tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duhet të jetë në Kuvend dhe të angazhohet për konstituimin e tij dhe formimin e institucioneve të reja.

“Ne këtu jemi me një qëllim të vetëm: të kërkojmë rivendosjen e ligjit, Kushtetutës dhe demokracisë në vend”, deklaroi Çitaku para mediave.

Ajo akuzoi Kurtin se po qëndron në objektin e Qeverisë pa mbikëqyrje parlamentare, duke e cilësuar këtë situatë si uzurpim të institucioneve.

“Këto zyra janë të uzurpuara nga një deputet. Dhe po aq sa ka të drejtë ai të jetë aty, po aq kemi të drejtë edhe ne”, tha Çitaku.

Duke iu referuar qëndrimit të deputetëve të PDK-së para Qeverisë, ajo theksoi se qëllimi nuk është marrja e institucioneve me forcë.

“Nuk jemi ne këtu me bërë puç! Ne jemi këtu me i thënë Albin Kurtit: Eja në Kuvend, shumicën e ke, ndërroje qeverinë dhe ecim tutje”, u shpreh ajo.

Çitaku ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi vendimet që, sipas saj, janë marrë nga Qeveria pa mbikëqyrje parlamentare.

“Kush janë ata që marrin vendime, me çfarë mandati, këtu në ndërtesë të Qeverisë?”, pyeti ajo.

Deputetja e PDK-së tha se ata do të qëndrojnë para objektit të Qeverisë derisa Kurti të paraqitet aty, ndërsa paralajmëroi edhe veprime të tjera politike.

“Do të rrimë këtu, do të presim sa të vjen ai që i thotë vetes Kryeministër”, deklaroi Çitaku.

Ajo bëri të ditur se PDK-ja do të rikthehet në Kuvend për të përsëritur kërkesën për thirrjen e një seance dhe për të ndërmarrë aktivitete të tjera, të cilat tha se do t’i bëjnë publike.

“Jemi këtu me ia kujtuar detyrën. Nuk kemi me u ndalur”, përfundoi Çitaku.

Edhe seputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kritikuar situatën politike në Kosovë, duke e akuzuar Qeverinë në detyrë për tejkalim të kompetencave dhe shkelje të Kushtetutës.

Hoxhaj tha se pas tri palë zgjedhjeve nacionale, vendi ndodhet ende pa institucione të konsoliduara, ndërsa sipas tij, Qeveria dhe ministrat kanë qëndruar për një periudhë të pazakontë në detyrë.

“Ky zotëri nuk është kryeministër, është një deputet zaptues, një deputet uzurpator i cili e ka uzurpuar zyrën e Kryeministrit”, deklaroi Hoxhaj, duke iu referuar Albin Kurtit.

Ai theksoi se edhe nga përvoja e tij si ministër, pas certifikimit si deputet kishte lënë detyrën ministrore dhe kishte vazhduar vetëm si deputet i Kuvendit.

13.08.2026 – 08:06

PDK: Jemi para Qeverisë, nuk do të ndalemi deri në rikthimin e rendit kushtetues

Partia Demokratike e Kosovës ka dalë me një njoftim, ndërsa disa prej deputetëve të saj po qëndrojnë para ndërtesës së Qeverisë, në pritje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Përmes një postimi në Facebook, PDK ka bërë të ditur se deputetët e saj janë para Qeverisë, duke paralajmëruar vazhdimin e veprimeve politike kundër zhvillimeve të fundit institucionale.

“Republikë – Kushtetutë! Sot jemi para Qeverisë, krahas veprimeve të tjera që po ndërmarrim. Nuk do të ndalemi deri në rikthimin e rendit kushtetues dhe fitoren e Republikës!”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Ndërkohë, PDK pritet të mbajë edhe një konferencë për media, ku pritet të japë më shumë detaje lidhur me veprimet e saj

13.08.2026 – 08:06

Deputetët e PDK-së bllokojnë hyrjen e Qeverisë

Disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë mbërritur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku pritet të mbahet konferenca për media e paralajmëruar nga kjo parti.

Në mesin e tyre është edhe deputeti Artan Behrami, i cili ka publikuar një fotografi në rrjetin social Facebook, duke bërë të ditur se ndodhet para ndërtesës së Qeverisë.

Përmes postimit të tij, Behrami ka kërkuar që sot të thirret seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

“Mirëmëngjes! Të thirret seanca dhe të konstituohet Kuvendi!”, ka shkruar ai.

PDK ka njoftuar se konferenca për media pritet të mbahet pak pas orës 07:30.

Të Ngjashme