Lajme

PDK reagon për seancën nesër, thotë se është shkelje e rendit kushtetues

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas caktimit të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit për nesër, duke e cilësuar këtë si mosrespektim të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese

Në një komunikatë për medie, PDK-ja ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar që Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve zgjedhore dhe se, sipas saj, ky afat përfundon sonte.

“Në vend të respektimit të këtij detyrimi kushtetues, shumica parlamentare zgjodhi ta shpërfillë vendimin e Gjykatës dhe, përmes deputetit më të vjetër si kryesues i seancës solemne, e caktoi vazhdimin e seancës për nesër, pasi afati të ketë skaduar”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se e kundërshton fuqishëm këtë veprim, të cilin e konsideron shkelje të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe precedent të rrezikshëm për funksionimin e shtetit ligjor.

“Askush nuk mund ta vendosë veten mbi Kushtetutën dhe aq më pak ata që kanë detyrimin e parë ta mbrojnë dhe ta zbatojnë atë”, ka deklaruar PDK-ja.

Sipas PDK-së, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka vendosur vullnetin partiak mbi Kushtetutën dhe interesin partiak mbi interesin shtetëror.

Është për keqardhje që një subjekt politik, i cili ka marrë besim nga qytetarët për t’i krijuar institucionet e reja, po e mban peng Republikën e Kosovës për shkak të kalkulimeve të veta politike, duke e zvarritur krijimin e tyre dhe duke prodhuar pasiguri kushtetuese”, thuhet në reagim.

PDK-ja ka theksuar se për të Kushtetuta nuk është çështje interpretimi politik, por themeli i rendit demokratik dhe juridik të shtetit.

“Prandaj, ashtu si në çdo rast kur është cenuar rendi kushtetues, edhe kësaj radhe PDK nuk do të qëndrojë duarkryq. Mbrojtja e Kushtetutës dhe e shtetit të së drejtës është detyrim ndaj qytetarëve dhe ndaj Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Në fund, PDK-ja ka thënë se Kosova ka nevojë për institucione funksionale, stabilitet politik dhe respektim të ligjit.

Nuk ka demokraci funksionale aty ku vullneti i një partie vendoset mbi Kushtetutën e Kosovës. Për fat të keq, sot Albin Kurti sërish zgjodhi pikërisht këtë rrugë”, përfundon reagimi i PDK-së.

Të Ngjashme