Lajme

​Peci dhe 45 personalitete bëjnë thirrje për formimin urgjent të institucioneve

Formimin pa vonesë të institucioneve dhe respektimin e rendit kushtetues e kanë kërkuar 46 intelektualë, akademikë, profesionistë, artistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, përmes një apeli publik të shpërndarë nga ish-diplomati Lulzim Peci.

Në dokumentin e titulluar “Republika nuk mund të mbahet peng”, nënshkruesit shprehin shqetësim për vazhdimin e krizës institucionale dhe paralajmërojnë se ngërçi politik rrezikon të cenojë demokracinë, rendin kushtetues dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.

“Kosova nuk mund të vazhdojë të mbetet pa institucione funksionale për shkak të kalkulimeve partiake, interpretimeve të njëanshme të Kushtetutës apo mungesës së vullnetit për kompromis demokratik”, thuhet në apel.

Sipas tyre, bllokada po e dëmton besimin e qytetarëve në demokraci, po pengon zhvillimin ekonomik e shoqëror dhe po cenon pozitën ndërkombëtare të Kosovës në një periudhë të ndjeshme për sigurinë dhe të ardhmen euroatlantike të vendit.

Ata kërkojnë nga deputetët e certifikuar dhe të betuar që të ndërmarrin me urgjencë veprimet e nevojshme për përfundimin e procesit të konstituimit të Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të tjera.

“Gjykata Kushtetuese i ka qartësuar detyrimet e deputetëve lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe ka thënë qartë që askush nuk ka të drejtë të pengojë ose bllokojë konstituimin e Kuvendit”, theksohet në dokument.

Nënshkruesit u bëjnë thirrje partive politike dhe institucioneve përgjegjëse që të heqin dorë nga ultimatumet, përjashtimi politik dhe logjika e imponimit. Po ashtu, kërkojnë që interesi partiak, grupor apo elektoral të mos vendoset mbi atë shtetëror.

Apeli u drejtohet edhe qarqeve akademike, shoqërisë civile, mediave, profesionistëve dhe qytetarëve, nga të cilët kërkohet të mos qëndrojnë indiferentë përballë degradimit të kulturës demokratike dhe normalizimit të bllokadës institucionale.

Sipas tyre, vendit i nevojitet një debat publik kritik, racional dhe konstruktiv, i mbështetur në argumente dhe në respektimin e dinjitetit të secilit. Ata kërkojnë gjithashtu refuzimin e fushatave denigruese, gjuhës së urrejtjes, linçimit publik dhe diskursit përçarës.

Në dokument kërkohet që institucionet dhe udhëheqësit politikë t’i rikthejnë në qendër të veprimit interesat strategjike dhe afatgjata të Kosovës.

“Integrimi euroatlantik, forcimi i aleancave me partnerët strategjikë, konsolidimi ndërkombëtar i shtetit dhe trajtimi me dinjitet i të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë edhe komunitetet joshumicë, duhet të trajtohen si interesa madhore kombëtare, përtej ndarjeve partiake. Kosova nuk ka rrugë tjetër për të ecur përpara”, përfundon apeli.

Dokumenti i publikuar më 12 gusht 2026 është nënshkruar, ndër të tjerë, nga ish-drejtues dhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, diplomatë, profesorë universitarë, drejtues të organizatave të shoqërisë civile, përfaqësues të komunitetit të biznesit, artistë dhe aktivistë. 

Të Ngjashme