Lajme

Përfundon asfaltimi i rrugës Terrn–Kosinë në Ferizaj, investim mbi 2 milionë euro

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar për përfundimin e projektit “Asfaltimi i rrugës Terrn–Kosinë”, një investim me vlerë prej 2,442,542 eurosh, i realizuar në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit dhe Komunës së Ferizajt.

Sipas ministrisë, projekti është financuar plotësisht nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit dhe ka përfshirë realizimin e punimeve në disa segmente rrugore të rëndësishme për zonën.

Në kuadër të projektit është asfaltuar rruga në Koshare në gjatësi prej 1.1 kilometrash, si dhe rruga “Bekim Jahiri” në fshatin Slivovë në gjatësi prej 700 metrash.

Po ashtu, janë ndërtuar një rrethrrotullim, dy shtresa asfalti dhe një trotuar me gjatësi prej 550 metrash.

Sipas njoftimit, investimi pritet të ndikojë në përmirësimin e qarkullimit rrugor, rritjen e sigurisë në trafik dhe krijimin e kushteve më të mira për banorët e kësaj zone./teve1.info/

Të Ngjashme