Një përleshje mes të burgosurve shqiptarë dhe algjerianë ka lënë gjashtë persona të plagosur në burgun e Domokosit, në Greqinë qendrore.
Sipas mediave lokale, konflikti shpërtheu pasditen e djeshme, kur një grup të burgosurish shqiptarë u përplas me një grup algjerianësh.
Nga përleshja mbetën të plagosur pesë algjerianë dhe një sirian, të moshave nga 26 deri në 41 vjeç.
Njëri prej të plagosurve pësoi dëmtime të rënda në kokë dhe u shtrua në terapi intensive në spitalin e qytetit të Lamias. Gjendja e tij paraqitet e rëndë.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur deri tani shkakun që çoi në përplasjen mes dy grupeve të të burgosurve.
Ngjarja e djeshme është incidenti i tretë i këtij lloji i regjistruar në burgun e Domokosit gjatë gjashtë javëve të fundit.
