Lajme

Përmirësohet situata, katër vatra aktive të zjarrit në Shqipëri

Situata e zjarreve në Shqipëri është përmirësuar gjatë së martës.

Për dallim prej ditëve të tjera, ku situata ka qenë më shqetësuese, gjatë së martës, janë regjistruar shtatë vatra të zjarrit, derisa aktualisht katër prej tyre janë aktive.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 140 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa ndërhyrja nga ajri është mbështetur nga tre helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor”.

“Në Dajt të Tiranës vijon puna për izolimin e vatrës me 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra në Priskë është riaktivizuar, por po ndiqet nga forcat operacionale dhe nuk rrezikon banesat. Në Lufaj të Mirditës, vatra mbetet aktive, por me intensitet të ulët dhe avancim të lehtë. Forcat janë pozicionuar pranë zonës dhe aktualisht nuk ka rrezik për banesat.”, thuhet në njoftim.

Situata mbetet aktive edhe në Malin e Tërbunit në Pukë, ku sipas njoftimit, operacioni zhvillohet në terren të vështirë.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë vendin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes Civile.

Të Ngjashme