Me 26 nëntor të vitit 2021, djalin e nisi për në shkollë.
Por atë ditë, Ledion Hamzaj, nuk u kthye më në shtëpi.
17 vjeçari po kthehej nga shkolla, kur dikush qëlloi me armë zjarri në drejtim të autobusit.
E gjithë ngjarja tragjike ndodhi në Gllogjan të Deçanit, ndërsa e vrarë mbeti edhe një nxënëse tjetër si dhe shoferi i autobusit.
Ky i fundit besohet se ishte edhe caku kryesor i sulmit, kurse të dyshuarit për këtë rast, janë Halil Mehmetaj me dy djemtë e tij, Kreshnikun dhe Kastriotin.
E të mërkurën, babai i Ledionit, Beqë Hamzaj u shpreh i zhgënjyer me zgjatjen e procesit.
Ai thotë se vrasja e dy nxënësve, u bë me prapavijë.
Të gjitha këto u thanë në seancën ku u rihap gjykimi për këtë rast, shkaku i kësaj prove.
Në këtë video, shihet Kreshnik Mehmetaj duke gjuajtur me armë në Bjeshkët e Deçanit.
E pikërisht kjo armë që të mërkurën trupi gjykues e cilësoi si provë të re nga ana e prokurorisë, dyshohet të jetë arma e krimit.
“Dua të jem kategorike dhe shumë e qartë, prokuroria nuk fsheh prova e aq më tepër prova që i ka siguruar vetë. Raporti balisitik i gëzhojavë të gjetura në bjeshkë kanë qenë pjesë e shkresave të lëndës qysh në ditën e parë, iu është dhënë në dispozicion të gjitha palëve”, tha prokurorja Sahide Gashi.
Sipas saj, arsyeja e mospropozimit të kësaj prove ishte mungesa e relevancës me natën kritike.
“Vendi në bjeshkë ku i panhderi Kreshnik Mehmetaj shihet duke gjuajtur me armë është një vend i njohur dhe i frekuentuar rëndom nga banorët e Deçanit për gjuajtje më armë zjarri, pra kemi të bëjmë me një poligon të hapur publik, ku banorët kanë shtënë me vite dhe gjetja e gëzhojave të rastësishme që nuk përputhen me skenen e krimit është krejtësisht e natyrshme”, u shpreh Gashi
Por, ky arsyetim nuk e bindi mbrojtjen e Kastriot Mehmetaj.
Përkundër kësaj, Gjykata Themelore në Pejë mori vendim që kjo provë të administrohet.
Palët qëndruan pas fjalëve të tyre përfundimtare.
Me kaq u mbyll ky shqyrtim gjyqësor, si dhe u caktua data për shpalljen e aktgjykimit.
“Gjykata Themelore në Pejë shpall të mbyllur shqyrtimin gjyqësor dhe vendimi do të shpallet më 24 gusht në ora 14:30”, tha Leon Përlaska –kryetar i trupit gjykues.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të akuzuarit dyshohet se e kanë kryer sulmin në bashkëveprim dhe me motive hakmarrjeje. Organi i akuzës pretendon se cak i sulmit kishte qenë shoferi i autobusit, i ndjeri Gani Gjokaj, të cilin familja Mehmetaj e kishte fajësuar si shkaktar të vetëvrasjes së vajzës së tyre.
