Astrologia Meri Shehu, e ftuar në emisionin “Rudina”, Tv Klan ka bërë parashikimin për 12 shenjat e zodiakut, duke surprizuar me vlerësimet e saj, pasi plot 8 shenja marrin nga 3 yje.
Sipas saj, kjo është një javë e rëndësishme, e mbushur me zhvillime dhe përballje në çështjet personale, ekonomike dhe profesionale. Disa shenja do të kenë mundësi të përparojnë në planet e tyre, ndërsa të tjerat duhet të tregojnë kujdes në vendimmarrje, investime dhe marrëdhënie.
“Kjo është një nga javët shumë të rëndësishme. Edhe nesër është një datë e rëndësishme, data 20. Afërdita kundërshtohet me Plutonin. Afërdita është në Akrep, një shenjë që shkon në thellësi dhe mbart emocione të forta, si dhe hakmarrje. Plutoni, nga ana tjetër, kërkon zhvillim dhe i çon gjërat deri në atë pikë saqë ose bëhen në këtë mënyrë, ose nuk bëhen fare. Është një javë e mbushur plot, që arrin kulmin më 26, të hënën, me Hënën e plotë në Dem, e cila kundërshtohet nga Plutoni dhe Dielli. Aty ndahen me thikë fatet në përgjithësi”, tha ajo.
Mëposhtë keni parashikimin e plotë nga astrologia, Meri Shehu dhe vlerësimi me yje për çdo shenjë zodiake:
Dashi – 3 yje
I marrin tre yje, falë asaj lidhjeje të bukur të pushtetit. Është Marsi në Luan, në lidhje të bukur me Saturnin edhe këtë javë. Kështu që ata Dashë që duan të bëjnë diçka më shumë në lidhje me çështjet personale, me punët, me dashurinë dhe me vendimmarrje të rëndësishme, sidomos ata të lindur në 10-ditëshin e dytë, e kanë të hapur rrugën. Por mos harrojmë që nga nesër Afërdita përballet shumë ashpër me Plutonin dhe mund të kemi humbje të rëndësishme në çështjet ekonomike. Kujdes! Mos investoni shumë. Gjithashtu, Mërkuri do të kthehet përsëri në Akrep, në lëvizje të kundërt, kështu që shumë çështje ekonomike dhe personale fillojnë të bllokohen pas datës 24.
Demi – 1 yll
Vetëm një yll për Demat, sepse përballjet e tyre, për shembull nesër, do të jenë shumë të vështira. Afërdita përballë shenjës së tyre është e kundërt dhe kundërshtohet nga Plutoni në Ujor. Çështje familjare, çështje karriere: duket sikur mbeten në mes ose këta bien viktimë e një dyshimi, e një xhelozie edhe nga anët e tjera. Situata ndalet, thuhet stop këtu dhe Demat mbeten për momentin në vend. Do të presin Hënën e plotë në shenjën e tyre për të parë një avancim. Megjithatë, ka një çështje familjare për Demat e lindur në 10-ditëshin e dytë që mund të ecë mirë dhe të përparojë.
Binjakët – 2 yje
Binjakët kanë përballjen e Mërkurit me Jupiterin në Luan, që sjell çështje pune, përditshmërie, pakënaqësi me veten dhe mungesë optimizmi në disa raste. Vetëm në një aspekt shoqëror mund të marrin një lajm të mirë ose të gjejnë një drejtim të mirë Binjakët e lindur në 10-ditëshin e dytë. Mund të kemi një avancim projekti, një avancim plani për tre-katër ditë. Pastaj, Hëna e plotë në Dem, që po bëhet gati, është shumë e vështirë për Binjakët, prandaj edhe ka ndikuar deri tani në këtë pozicion për ta.
Gaforrja – 2 yje
Gaforret kanë dy yje, por mos harrojmë që Gaforret e lindura kryesisht në 10-ditëshin e dytë kanë atë mundësi shumë të fuqishme me Saturnin në Dash, që është në shtëpinë e dhjetë të tyre dhe tregon edhe ai pushtet të fortë ose fanatizëm në pushtet, të lidhur bukur me Marsin në Luan. Kështu që e kanë në dorë forcën e një pushteti, të një dinamike, të një vendimmarrjeje dhe të të bërit atë që kanë dëshirë. Pra, Gaforret e kanë këtë mundësi. Vetëm mos harrojmë që kemi Afërditën e kundërt në Akrep, në kundërshtim me Jupiterin në Luan, që është një nga lidhjet e vështira dhe ka një kosto shumë të madhe, qoftë ekonomike, qoftë shpirtërore. Kjo situatë do të vazhdojë edhe me Mërkurin e kundërt.
Luanët – 3 yje
Edhe Luanët marrin tre yje, sepse kemi kundërshtimin e Afërditës në Akrep me Plutonin në Ujor dhe Mërkurin, që do të kthehet në lëvizje të kundërt në Akrep, në kundërshtim me Jupiterin në shenjën e tyre. Kjo do të thotë që ecin përpara, por disa gjëra mbeten shumë në prapavijë, për sa u përket çështjeve familjare, projekteve të tyre, diskutimeve, kontakteve dhe bisedave. Mund të ketë përballje shumë të vështira. Edhe kur të vijë Hëna e plotë në Dem, ajo do të jetë në katërkëndësh me Luanët, kështu që, pavarësisht Jupiterit, do të kenë probleme.
Virgjëresha – 3 yje
Virgjëreshat janë në një fazë më të mirë, sepse Afërdita e kundërt do të kthehet në Peshore rreth datave 25-26. Në këtë moment, për Virgjëreshat hapet një shans i mirë ekonomik. Kështu që ato nuk duhet të rrezikojnë në biseda, të mos lodhen tepër dhe të mos marrin përsipër punë të sforcuara gjatë kësaj jave, pasi nga fundi i javës ose në fillim të javës tjetër, rikthimi i Afërditës në Peshore u jep një shans të mirë për t’iu rikthyer begatisë ose çështjeve shumë të rëndësishme personale dhe ekonomike.
Peshorja – 3 yje
Pavarësisht se për momentin të gjithë këta planetë në Akrep sjellin vështirësi, duke treguar një ngadalësim të ecurisë ose të zhvillimit të tyre, edhe në aspektin ekonomik, do të shohim se nga fundi i javës rikthimi i Afërditës në shenjën e tyre do ta ëmbëlsojë përsëri situatën për Peshoret. Dhe mos harrojmë se Saturni në Dash përballet me shenjën e tyre dhe kërkon një kompromis shumë të madh. Ai lidhet bukur këtë javë me Marsin në Luan dhe një plan i tyre shkon mirë.
Akrepi – 3 yje
Tre yje edhe për Akrepin sot. Megjithatë, Akrepi mund të merrte edhe një yll, sepse Mërkuri kthehet në lëvizje të kundërt në Akrep. Kemi Hënën e plotë përballë, në Dem, kemi Afërditën. Por, meqë Afërdita do të takohet me Diellin këtë javë, edhe pse është në lëvizje të kundërt, ky takim me Diellin në Akrep i jep shenjës famë, dashuri dhe një mirëseardhje.
Shigjetari – 3 yje
Shigjetarët duhet të përgatiten mirë për një prapaskenë në punë dhe për një rënie në pasiguri, si dhe për humbjen e një pune ose të diçkaje që e konsideronin shumë të sigurt në përditshmërinë e tyre. Ata duhet të bëhen gati që nga e enjtja ose e premtja që kjo të ndodhë, sepse Hëna e plotë në Dem nuk është shumë favorizuese për ta dhe sjell kundërshtime të mëdha e prapaskena në punë. Megjithatë, lidhja Mars-Saturn është e bukur, të paktën nga e mërkura dhe e enjtja, dhe shumë Shigjetarë mund të kenë zhvillime pozitive në jetën personale dhe në planet e tyre.
Bricjapi – 3 yje
Për Bricjapët rregullohen disa gjëra falë lidhjes Mars-Saturn, e cila është një lidhje që shpëton shumë njerëz. Atje ku mendohej se po binin ose se gjithçka kishte marrë tatëpjetën, ata e mbledhin veten, forcohen dhe ngrihen. Është një pushtet që u jepet nga ana e yjeve. A u jepet ky pushtet sepse yjet duan t’i sprovojnë dhe t’i vënë në provë, apo sepse kështu e kanë fatin? Atëherë, e kanë fatin dhe shumë Bricjapë të lindur në dhjetëditëshin e dytë mund të shfrytëzojnë një pushtet që do t’u jepet në ekonomi ose në çështje të rëndësishme që lidhen me familjen, shtëpinë dhe një investim të rëndësishëm në jetën e tyre.
Ujori – 3 yje
Ishte një javë me shumë përballje. Por, duke qenë se ka përballje, kjo do të thotë se do të ndodhin shumë zhvillime, jo domosdoshmërisht se gjërat do të shkojnë keq. Ujorët janë me fat falë kësaj lidhjeje të Saturnit në Dash me Marsin në shenjën e Luanit. Ata kanë mundësi që projektet e tyre të shkojnë mirë, të kenë një takim të rëndësishëm, të çojnë përpara një mundësi dhe të rregullojnë një çështje karriere ose pune. Nesër do të shohin se çfarë nuk shkon në punën dhe karrierën e tyre ose do të përballen me një pasiguri në çështjet ekonomike. Kjo situatë do të fillojë të rregullohet me hyrjen e Mërkurit në lëvizje të kundërt në Akrep, i cili do t’i rikthejë te pozicionet e një pune nga e kaluara.
Peshqit – 2 yje
Peshqit marrin dy yje, sepse Afërdita e kundërt në Akrep lidhet me çështjet ligjore, personale, udhëtimet dhe kontaktet me jashtë. Nesër është një ditë që i vë këto çështje në krizë ose i ndan me thikë përgjigjet mes një “po”-je dhe një “jo”-je. Ndonjëherë njerëzit nuk duan të dëgjojnë një “po” ose një “jo”, por kërkojnë një shpjegim, madje edhe një lloj manipulimi. Peshqit janë shumë delikatë, ndaj, kur nuk marrin as shpjegimin dhe as përgjigjen që presin, do të ndihen psikologjikisht keq. Por me Hënën e plotë në Dem do të shohim se një projekt i tyre shkon shumë mirë, por vetëm për ta, sepse të tjerët duhet të përballen me vështirësi.
