Lajme

‘Po përdor familjen për të çuar para jashtë vendit’/ Eurodeputeti paralajmëron Ramën: Do të ketë pasoja!

Eurodeputeti i grupit të Partisë Popullore Europiane (EPP), Tomáš Zdechovský, ka lëshuar akuza dhe paralajmërime të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se Bashkimi Europian nuk do të pranojë një Shqipëri me probleme korrupsioni dhe mungesë transparence zgjedhore.

I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV, Zdechovský tha se situata në Shqipëri është shqetësuese dhe se përdorimi i pushtetit në mënyrë jo demokratike do të ketë pasoja.

“Ne kemi një pasqyrë të qartë të situatës në Shqipëri. Nuk është e mundur të vazhdohet kështu. Korrupsioni nuk do të jetë kurrë pjesë e Bashkimit Europian dhe zoti Rama duhet ta dijë se nëse keqpërdor pushtetin në mënyrë jo demokratike, ai nuk do të bëhet kurrë pjesë e BE-së”, u shpreh eurodeputeti.

Ai deklaroi se mesazhi ndaj kryeministrit shqiptar është i qartë dhe se të njëjtin qëndrim e kanë përcjellë edhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.

“Është e nevojshme të ushtrohet presion. Nga Bashkimi Europian mund të jeni të sigurt se situata në Shqipëri po monitorohet dhe qëndrimi ynë është absolutisht i qartë. Nëse zoti Rama nuk përgatit zgjedhje transparente, do të ketë pasoja, veçanërisht për të dhe familjen e tij”, tha Zdechovský.

I pyetur nga moderatori Flavio Qarri për kuptimin e deklaratës “pasoja për të dhe familjen e tij”, eurodeputeti pretendoi se bëhet fjalë për hetimin e lëvizjeve financiare.

“Ne kemi vënë re se ai përdor familjen e tij për të çuar para jashtë shtetit. Ne po ndjekim paratë. Është një mesazh i qartë dhe ai do ta kuptojë shumë mirë”, deklaroi Zdechovský.

Të Ngjashme