Policia e Kosovës ka dalë me një komunikatë lidhur me protestën që pritet të mbahet sot nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,(OVL-UÇK)për të kundërshtuar aktgjykimin dënues ndaj ish-drejtuesve të lartë të UÇK-së.
Në komunikatë, Policia u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në protestë që të protestojnë në mënyrë të qetë.
“Me qëllim të garantimit të rendit e sigurisë publike, mbrojtjes së jetës dhe pronës si dhe ofrimit të sigurisë ndaj qytetarëve e pjesëmarrësve në protestë, Policia e Kosovës iu bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në çdo protestë që të respektojnë dispozitat ligjore dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë, të tregojnë kujdes e maturi gjatë protestimit, të mos hedhin gjësende e mjete të forta, të mos përdorin maska dhe të kontribuojnë që protesta të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të sigurt”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Tutje, Policia ka bërë të ditur se, për shkak të protestës, në disa rrugë që çojnë drejt shesheve të Prishtinës mund të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit.
“Për shkak të zhvillimit të protestës dhe lëvizjes së pjesëmarrësve, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut në disa rrugë që të shpien drejt shesheve të kryeqytetit, andaj janë paraparë edhe angazhime të njësive policore patrulluese të trafikut, në rast të nevojës për riorientim të trafikut në rrugët alternative”, thuhet më tej në njoftimin e Policisë.
Policia ka bërë të ditur se, lidhur me protestën e sotme, ka ndërmarrë të gjitha përgatitjet e nevojshme operacionale.
