Lajme

Policia e Kosovës përmbyll me sukses trajnim për përdorimin e dronëve Skydio, pranon donacion nga SHBA

Policia e Kosovës ka përmbyllur me sukses një trajnim 15-ditor për operimin e sistemeve ajrore pa pilot (dronë) të tipit Skydio, në kuadër të avancimit të kapaciteteve profesionale për mbështetje të operacioneve policore dhe sigurisë publike.

Sipas njoftimit zyrtar, në trajnim morën pjesë 12 zyrtarë policorë, të cilët pas përfundimit të pjesës teorike dhe praktike u certifikuan për përdorim profesional dhe të sigurt të dronëve. Trajnimi përfshiu operimin dhe menaxhimin e sistemeve ajrore pa pilot, planifikimin e misioneve fluturuese, procedurat operative dhe të sigurisë, përdorimin e sistemeve inteligjente të navigimit, si dhe aplikimin operacional në terren.

Përveç trajnimit, Policia e Kosovës ka pranuar edhe një donacion në vlerë prej 273,637.22 dollarësh nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, përmes programit Anti-Terrorism Assistance Program (ATA).

Sipas policisë, ky donacion do të ndikojë në forcimin e kapaciteteve operative dhe teknologjike të njësive policore, duke rritur efikasitetin operacional dhe nivelin e sigurisë publike në vend.

Në fund, Policia e Kosovës ka shprehur mirënjohje për Ambasadën e SHBA-së, programin ATA, instruktorët dhe partnerët institucionalë për mbështetjen dhe bashkëpunimin gjatë realizimit të trajnimit dhe pranimit të donacionit./teve1.info/

Të Ngjashme