Policia e Kosovës ka pranuar një donacion me pajisje teknologjike nga Ambasada Britanike, me qëllim të forcimit të kapaciteteve hetimore të Sektorit të Hetimeve në Departamentin e Kufirit, shkruan “Bota sot”.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, pajisjet janë dedikuar për hetimin e veprave penale komplekse ndërkufitare, përfshirë kontrabandimin e migrantëve, trafikimin e armëve të zjarrit dhe përdorimin e dokumenteve të falsifikuara të udhëtimit dhe identitetit.
Pajisjet janë përzgjedhur nga Policia e Kosovës, bazuar në nevojat operative të identifikuara, dhe synojnë të mundësojnë përpunimin më efikas të provave digjitale, përdorimin e njëkohshëm të aplikacioneve të ndryshme hetimore, si dhe ruajtjen dhe sistemimin e sigurt të dosjeve të hetimit dhe dokumenteve operative.
Donacioni u dorëzua nga Margaret Belof, shefe e Seksionit për Sundimin e Ligjit dhe Sigurinë e Brendshme në Ambasadën Britanike, te drejtori i Departamentit të Shërbimeve të Policisë së Kosovës, Kamer Jonuzaj.
Ky donacion, sipas Policisë së Kosovës, pasqyron partneritetin e vazhdueshëm ndërmjet Ambasadës Britanike dhe institucioneve të Kosovës në mbështetje të luftimit të krimit të organizuar ndërkufitar dhe forcimit të kapaciteteve hetimore, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.
