Me rastin e protestës së paralajmëruar për ditën e sotme, Policia e Shtetit ka rritur masat e sigurisë dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të distancohen nga çdo akt dhune.
Shefi i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike, Albert Nushi, deklaroi se personat e dhunshëm do të përballen me pasojat ligjore, ndërsa vuri theksin te rëndësia e zhvillimit paqësor të tubimit.
Sipas zyrtarit të lartë të policisë, ky mobilizim vjen pas monitorimit të shkeljeve dhe paralajmërimeve në rrjetet sociale.
“Nisur nga thirrjet e vazhdueshme në rrjetet sociale dhe në grupet e hapura në platformat online për grumbullimin e personave të maskuar dhe të pajisur me lëndë piroteknike, bomba Molotov, sfera dhe vida metalike, shkopinj druri e metalikë, gurë dhe sende të tjera të forta, me qëllim ushtrimin e dhunës gjatë tubimit të paralajmëruar për ditën e sotme, Policia e Shtetit ka shtuar masat parandaluese dhe reaguese për garantimin e rendit dhe sigurisë publike,” shpjegoi Nushi.
Ai bëri me dije se strukturat hetimore kanë konstatuar nxitje për veprime të paligjshme edhe gjatë orëve të fundit.
“Edhe gjatë ditës së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia e Shtetit ka konstatuar thirrje të shumta për sulme ndaj punonjësve të Policisë, shkatërrimin dhe djegien e automjeteve të Policisë, si dhe dëmtimin e pronës publike dhe private. Në lidhje me këto thirrje, Policia e Shtetit ka nisur procedimin penal dhe strukturat e specializuara po kryejnë veprime hetimore për identifikimin e personave përgjegjës dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore,” u shpreh ai.
Lidhur me përpjekjet për t’iu shmangur drejtësisë, Albert Nushi nënvizoi se masat e sigurisë do të jenë strikte për çdo shkelës.
“Personat që synojnë ta shfrytëzojnë tubimin për të ushtruar dhunë, pavarësisht maskimit apo përpjekjeve për të fshehur identitetin, do të identifikohen dhe do të përballen me përgjegjësinë ligjore,” tha ai, duke i bërë thirrje drejtpërdrejt qytetarëve: “Pjesëmarrësit në tubim të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm dhe të mos bëhen pjesë e veprimeve të paligjshme.”
Një apel i veçantë iu drejtua gjithashtu prindërve për mbrojtjen e të mekurve nga çdo situatë me risk.
“U bëjmë thirrje prindërve të mos lejojnë që fëmijët e tyre të marrin pjesë në tubime apo të qëndrojnë në ambiente ku siguria e tyre mund të vihet në rrezik nga përplasjet dhe aktet e dhunshme të paralajmëruara në rrjetet sociale. Mbrojtja e fëmijëve nga situatat e rrezikshme është përgjegjësi e përbashkët,” theksoi Nushi.
Gjatë deklaratës, vëmendje iu kushtua edhe punonjësve të medias që do të mbulojnë ngjarjen nga terreni.
“Gazetarët dhe operatorët mediatikë që raportojnë nga terreni, të respektojnë perimetrat e sigurisë të përcaktuar nga Policia dhe udhëzimet e punonjësve të Policisë, për të shmangur rrezikimin e jetës dhe shëndetit të tyre. Vlerësojmë maksimalisht rëndësinë e informimit të publikut dhe të ushtrimit të lirë të veprimtarisë gazetare, në respektim të masave të sigurisë,” deklaroi Nushi.
