Lajme

Policia gjen në veturën e të dyshuarit dokumente të lëshuara nga Serbia për shtetas të tjerë të Kosovës

Policia e Kosovës ka gjetur në veturën e një shtetasi kosovar, dokumente të ndryshme të personave tjerë shtetas të Kosovës të lëshuara nga Serbia.

Këto dokumente të dyshuarit i  janë gjetur në veturë, gjatë kontrollit në pikën kufitare “Dheu i Bardhë” të hënën.

Policia ka bërë të ditur se për këtë rast i cili është cilësuar si “legalizim i përmbajtjes së pavërtetë”, është intervistuar personi i dyshuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt hetimore.

“Gjatë kontrollit të automjetit në hyrje, që e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar i janë gjetur dokumente të ndryshme të personave tjerë shtetas të Republikës së Kosovës si: certifikata të lindjes, certifikata të shtetësisë lëshuar nga SRB-ja, certifikata të martesave lëshuara nga SRB-ja, kopje të letërnjoftimeve të RKS-së, dhe vendime të ndryshme të gjykatave të Serbisë”, thuhet në raportin 24-orësh./teve1.info/

Të Ngjashme