Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një grup protestuesish ka hedhur sende të forta dhe mjete piroteknike drejt bazës së EULEX-it në rrugën Prishtinë–Fushë Kosovë, vonë në mbrëmje, të mërkurën.
Sipas forcave të rendit, rreth orës 22:30, një numër protestuesish që po qëndronin pranë objektit të Qeverisë kanë lëvizur drejt bazës së EULEX-it, e cila ndodhet afër tregut të gjelbër.
Pas arritjes pranë hyrjes së objektit, protestuesit kanë bllokuar rrugën. Ata më pas kanë filluar të hedhin sende të ndryshme, mjete të forta dhe mjete piroteknike, thuhet në një njoftim të policisë të dërguar pas mesnate.
Aty bëhet me dije, po ashtu, se si pasojë e mjeteve piroteknike, një pjesë e objektit është përfshirë nga një zjarr i vogël. Zjarri është shuar menjëherë.
“Zyrtarët policorë në vazhdimësi kanë biseduar me protestuesit dhe kanë kërkuar që të protestojnë në mënyrë të qetë, të mos hedhin gjësende dhe mjete të rrezikshme drejt objekteve shtetërore”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas komunikatës, protesta ka përfunduar rreth njëzet minuta pas mesnatës. Nuk janë raportuar incidente të mëdha dhe as persona të lënduar nga radhët e protestuesve apo zyrtarëve policorë.
Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, veçanërisht gjatë ndërprerjeve të përkohshme të trafikut.
Ajo ka bërë të ditur se do ta vazhdojë praninë dhe patrullimet në terren për garantimin e rendit kushtetues dhe sigurisë publike në vend.
Protesta u bë si shfaqje e pakënaqësisë së qytetarëve në lidhje me vendimin e Gjykatës Speciale që shpalli fajtor katërshen ë UCK-së, të mërkurën, në Hagë. Hashim Thaçi e Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.
EULEX është mision BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë. Bashkimi Evropian është financuesi kryesor i Gjykatës Speciale, me seli në Hagë të Holandës.
