Lajme

Policia në Gjakovë realizon 20 urdhëresa gjyqësore, katër persona dërgohen në burg

Policia e Kosovës ka realizuar 20 urdhëresa gjyqësore në periudhën 1–20 tetor në Gjakovë, ndërsa katër persona janë dërguar në vuajtje të dënimit për vepra të ndryshme penale.

Sipas njoftimit të Policisë, personat e arrestuar ishin në kërkim në bazë të urdhëresave të lëshuara nga gjykatat.

Njëri prej tyre, me inicialet Xh. Th., është dërguar në vuajtje të dënimit me katër vjet burgim për veprat penale “Vjedhja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, transmeton “Bota sot”.

Ndërkaq, B. H. është dërguar në vuajtje të dënimit me një vit e gjashtë muaj burgim për veprat penale “Kanosja”, “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Personi me inicialet L. L. është dërguar në vuajtje të dënimit me 180 ditë burgim për veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”.

Ndërsa, V. A. është dërguar për vuajtjen e një mase edukative institucionale prej një viti.

Policia njofton se personat e tjerë të kërkuar, pas paraqitjes në seanca gjyqësore ose përmbushjes së detyrimeve të përcaktuara nga gjykata, janë liruar në përputhje me procedurat ligjore.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për ekzekutimin e urdhërarresteve dhe letërreshtimeve, me qëllim të zbatimit të vendimeve të organeve të drejtësisë.

Të Ngjashme