Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka njoftuar se gjatë periudhës 3–9 korrik 2026, në kuadër të zbatimit të planeve operative për rritjen e sigurisë në trafik, janë shqiptuar 1 mijë e 815 gjoba për shkelje të rregullave të komunikacionit.
Sipas Policisë, gjatë kësaj periudhe janë hetuar 10 aksidente trafiku me dëme materiale dhe 33 aksidente me persona të lënduar.
Po ashtu, zyrtarët policorë kanë shqiptuar 26 gjoba për mospërdorim të rripit të sigurisë, 30 gjoba për përdorim të telefonit gjatë vozitjes, 15 gjoba për modifikim të automjeteve me folje të errëta, si dhe kanë vendosur masën e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike ndaj 27 ngasësve.
Në kuadër të kontrolleve të zhvilluara, janë shqiptuar edhe 16 gjoba për drejtim të motoçikletës pa patentë shofer, 16 gjoba për drejtim të motoçikletës pa regjistrim valid dhe 23 gjoba për mosmbajtje të helmetës mbrojtëse.
Gjithashtu, Policia ka konfiskuar përkohësisht 11 motoçikleta.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjeteve motorike.
“Drejtimi i mjeteve duke mos i respektuar normat e parapara me ligj kushton me jetë. Shpejtësia vret, ndërsa kujdesi i shtuar nënkupton shpëtim jete për veten dhe të tjerët”, thuhet në apelin e Policisë./teve1.info/
