Policia e Kosovës ka nisur fushatën vetëdijësuese “Mirë se erdhët në Republikën e Kosovës”, me qëllim të rritjes së sigurisë në trafikun rrugor gjatë sezonit veror dhe mirëpritjes së bashkatdhetarëve që vizitojnë vendin.
Në kuadër të kësaj fushate, Policia ka përgatitur broshura informuese me këshilla dhe udhëzime praktike për pjesëmarrësit në trafik, me theks të veçantë në respektimin e rregullave gjatë qarkullimit në rrugë.
Sipas Policisë, shkaktarët më të shpeshtë të aksidenteve vazhdojnë të jenë shpejtësia e papërshtatshme, tejkalimet në vende të ndaluara, pakujdesia, lodhja, përdorimi i telefonit gjatë drejtimit dhe vozitja nën ndikim të alkoolit.
Përveç prezencës së shtuar policore dhe pikave të kontrollit, gjatë kësaj periudhe do të përdoren edhe pajisje inteligjente, kamera, radarë mobilë dhe dronë për identifikimin e kundërvajtjeve në trafik.
Policia ka bërë të ditur se shkeljet si tejkalimi i shpejtësisë, mosvendosja e rripit të sigurisë, përdorimi i telefonit gjatë ngasjes, automjetet e paregjistruara dhe kundërvajtje të tjera mund të evidentohen edhe pa ndalimin fizik të drejtuesve, ndërsa gjobat mund t’u dërgohen pronarëve të automjeteve përmes postës.
Nga Policia është bërë thirrje për kujdes të shtuar në rrugë dhe respektim të rregullave të trafikut, në mënyrë që udhëtimet verore të përfundojnë vetëm me kujtime të mira.
“I lodhur? Pushoni! Më mirë vonë në destinacion, sesa kurrë”, është mesazhi i fushatës./teve1.info/
