Lajme

Policia publikon të dhënat për monitorimin elektronik të urdhrave mbrojtës

Policia e Kosovës ka publikuar të dhënat lidhur me zbatimin e sistemit të Monitorimit Elektronik, projekt i cili, sipas Policisë, po implementohet për herë të parë në Republikën e Kosovës.

Ky sistem është vendosur në kuadër të zbatimit të urdhrave mbrojtës të lëshuar nga gjykatat, me synim rritjen e sigurisë publike, mbrojtjen e viktimave dhe zbatimin më efektiv të vendimeve gjyqësore përmes përdorimit të teknologjisë moderne.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2025 dhe periudhës janar–qershor 2026, përmes sistemit të monitorimit elektronik janë monitoruar gjithsej 141 urdhra mbrojtës.

Gjatë kësaj periudhe, Policia ka trajtuar të gjitha alarmet e gjeneruara nga sistemi, duke bërë vlerësimin e secilës situatë në kohë reale dhe duke ndërmarrë veprimet e nevojshme operative, në përputhje me nivelin e rrezikut të identifikuar.

Sipas Policisë, përmes këtij sistemi janë avancuar mekanizmat për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe për reagim më të shpejtë ndaj rasteve që mund të paraqesin rrezik.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në avancimin e përdorimit të teknologjisë bashkëkohore dhe në ofrimin e mbrojtjes efektive për qytetarët, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, theksohet në njoftim./teve1.info/

Të Ngjashme