Një tjetër triumf i madh është shënuar për kinematografinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Filmi “DUA”, me regji dhe skenar të Blerta Bashollit, ka rrëmbyer çmimin prestigjioz SACD Award (dhënë nga Shoqata e Autorëve dhe Kompozitorëve Dramaturgjikë) në edicionin e 65-të të “Semaine de la Critique” (Java e Kritikës), në kuadër të Festivalit të Kanës.
Lajmi i madh është bërë i ditur përmes një njoftimi zyrtar nga Ambasada e Francës në Kosovë, e cila ka uruar publikisht regjisoren Basholli dhe bashkë-skenaristen Nicole Borgeat për këtë arritje të jashtëzakonshme.
“Urime Blerta Basholli, regjisore dhe skenariste, & Nicole Borgeat, bashkë-skenariste, për suksesin e filmit DUA, i vlerësuar me SACD Award në edicionin e 65 të Semaine de la Critique – Cannes në Festivalin e Kanës. Urime gjithë ekipit të këtij koproduksioni kosovar, zviceran & francez. Një sukses i madh për kinematografinë kosovare,” thuhet në urimin zyrtar.
Ky projekt filmik është një bashkëprodhim i rëndësishëm mes Kosovës, Zvicrës dhe Francës, duke konfirmuar edhe një herë rritjen dhe vlerësimin e madh që projektet kinematografike shqiptare po marrin në festivalet më elitare të botës.
