ShowBizzz

Prek mbarë opinionin publik/ Selvija jep lajmin për trashëgiminë e Shpatit

Një lajm mjaft i rëndësishëm ka prekur mbarë opinionin publik dhe adhuruesit e muzikës shqiptare.

Arti dhe zëri i paharrueshëm i këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi, i cili u nda nga jeta në nëntor të vitit që lamë pas, do të jetojnë përgjithmonë.

Shtëpia e njohur botuese muzikore “Medium Music Publishing” ka marrë vendimin zyrtarisht për të futur artistin në rrethin e të pavdekshmëve, duke nderuar kështu karrierën e tij më shumë se dydekadëshe.

Përmes disa postimeve zyrtare, kompania ka lëshuar një dedikim mjaft prekës për figurën e tij. Ata shkruajnë se Shpati mbetet një nga zërat e muzikës moderne popullore shqiptare, i cili me ndjeshmërinë e tij melodike u kthye në kujtesën emocionale të një gjenerate të tërë.

“Ndonëse ai nuk është më me ne, zëri i tij vazhdon të jetojë përmes këngëve, performancave dhe kujtimeve që la pas,” thuhet në njoftimin e tyre.

Ky vlerësim i madh ka sjellë një reagim të menjëhershëm dhe mjaft emocional nga bashkëshortja e tij, Selvija. Ajo ka rishpërndarë këtë njoftim në profilin e saj në Instagram, duke shprehur publikisht mirënjohjen e saj të thellë për këtë nismë që mbron vlerat e bashkëshortit të saj të ndjerë.

“Faleminderit për ruajtjen e trashëgimisë artistike të Shpatit. Mirënjohëse pa fund”, ka shkruar Selvija në postimin e saj.

Vendimi për të futur Shpat Kasapin në “The Circle of Immortals” (Rrethi i të Pavdekshmëve) ka përlotur edhe ndjekësit e shumtë, duke përfshirë edhe fansa të huaj. Në seksionin e komenteve, një komentuese shkruan e prekur: “Unë as nuk jam shqiptare dhe ky njeri ka pasur aq shumë rëndësi për mua… po qaj me të madhe”.

Të tjerë kanë kujtuar se kujtimi i tij nuk do të zbehet kurrë dhe se zëri i tij i bardhë do të mbetet i pazëvendësueshëm në zemrat e shqiptarëve. Përmes këtij hapi të rëndësishëm, trashëgimia e pasur muzikore që Shpati ndërtoi për më shumë se dy dekada do të jetë e mbrojtur zyrtarisht në nivelet më të larta europiane.

Të Ngjashme