Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, do të qëndrojë sot për një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë kësaj vizite njëditore do të ndërmarrë masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe për rregullimin e trafikut gjatë lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shqiptar në Kosovë.
“Me datën 12 qershor 2026, në orët e mbrëmjes, në Republikën e Kosovës do të qëndrojë për vizitë zyrtare presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. Me këtë rast, Policia e Kosovës gjatë kësaj vizite njëditore do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe rregullimin e trafikut gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, për të mundësuar qarkullimin e lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes, duke filluar nga ardhja e presidentit në pikën kufitare të Vërmicës në orët e pasdites dhe deri në përfundimin e aktiviteteve të parapara në agjendën zyrtare, do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore.
“Kthimi i delegacionit pritet të ndodhë po ashtu në orët e mbrëmjes. Për këtë arsye, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut, në intervale të shkurtra kohore, në segmentet rrugore ku pritet të kalojë eskorta. Në raste të caktuara mund të ketë edhe riorientim të trafikut në rrugë alternative”, thuhet më tej në njoftim.
Policia e Kosovës ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët dhe të gjithë pjesëmarrësit në trafik për masat që do të ndërmerren gjatë vizitës së presidentit shqiptar.
