Deklarata e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, për mundësinë e një marrëveshjeje politike rreth zgjedhjes së presidentit, ka hapur diskutime mbi rolin që mund të ketë LDK në formimin e shumicës parlamentare. Duke theksuar se mandatet e partisë së tij mund të jenë vendimtare, Haziri sinjalizoi se LDK mund të jetë faktor kyç në negociatat e ardhshme politike.
Kjo ngre pyetjen nëse pas certifikimit të rezultateve zgjedhore mund të ketë afrime apo një marrëveshje mes LDK-së dhe LVV-së, varësisht nga konfigurimi i forcave në Kuvend dhe nevoja për konsensus institucional.
Për këtë temë, për “Bota sot” foli analisti politik, Faton Mehmeti, i cili vlerësoi se deklarata e Hazirit tregon një tendencë të kryesisë së LDK-së për afrim me LVV-në në funksion të një koalicioni të mundshëm.

Faton Mehmeti
Sipas tij, një qasje e tillë lidhet me faktin se LDK nuk synon zgjedhje të reja, pasi ato mund të ndikojnë në rënien e mëtejshme të saj.
“Deklarata e Lutfi Hazirit mund të shihet si një formë afrimi ndaj LVV-së, sepse kjo kryesi e LDK-së, me Lumir Abdixhikun në krye dhe Hazirin si nënkryetar, nuk guxojnë ta dërgojnë vendin sërish në zgjedhje, pasi e dinë që do të pësojnë rënie të mëtejshme.
Për më tepër, krahu i Përparim Ramës po forcohet gjithnjë e më shumë dhe tentativa e tij për të marrë kontroll të plotë mbi LDK-në është më e afërt se kurrë më parë”.
Më tej, Mehmeti vlerëson se LDK do të synojë një marrëveshje me LVV-në, pasi kjo do të ndikonte edhe në stabilizimin e brendshëm të partisë dhe pozicionin e kryetarit aktual.
Mirëpo, në rast se nuk bëhet një marrëveshje mes këtyre dy partive, analisti parashikon se kryesia e LDK-së do të përballet me presion të madh, madje edhe me kërkesa për largim.
“Kështu, deklarata e Hazirit mund të interpretohet si një përpjekje për të arritur me çdo kusht një marrëveshje me LVV-në për pjesëmarrje në qeveri. Sipas kësaj logjike, vetëm një marrëveshje me LVV-në mund ta shpëtojë Abdixhikun nga një sfidim i mundshëm i pozitës së kryetarit të LDK-së.
Nëse nuk arrihet një marrëveshje dhe nuk formohet koalicion me Vetëvendosjen, atëherë Abdixhiku dhe Haziri mund të përballen me presion të madh brenda partisë, madje edhe me largim nga LDK, pasi pozitat e tyre do të dobësoheshin ndjeshëm. Për këtë arsye, ata po kërkojnë një marrëveshje me LVV-në për të ruajtur pozitat e tyre në parti dhe për të stabilizuar ndikimin e tyre politik”.
Në fund, ai shtoi se, nëse nuk arrihen të formohen institucionet dhe zgjidhet presidenti i ri, vendi rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje, e kjo do t’i kushtonte më së shumti, sipas tij, LDK-së.
“Në të kundërtën, zgjedhjet e reja si pasojë e mosarritjes së marrëveshjes do t’i faturoheshin LDK-së si pengesë, dhe partia mund të pësonte rënie të mëtejshme, duke zbritur edhe nën 10–12 për qind. Në këtë skenar, LDK vështirë se do të mund të rikthehej në një rezultat më të lartë në rast të zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.
