Instituti për Siguri dhe Reziliencë – PREVENT ka shprehur shqetësim për atë që e ka cilësuar si shfaqje dhe normalizim të një diskursi gjithnjë e më stigmatizues dhe polarizues ndaj Islamit, praktikimit të fesë islame dhe qytetarëve që e praktikojnë atë, veçanërisht në hapësirën publike dhe online.
Sipas PREVENT, në raste të ndryshme janë evidentuar narrativa dhe deklarime që trajtojnë në mënyrë përgjithësuese Islamin, institucionet fetare, imamët apo besimtarët myslimanë.
Instituti ka vlerësuar se një qasje e tillë rrezikon që debati legjitim mbi fenë dhe çështjet shoqërore të shndërrohet në stigmatizim të një komuniteti të tërë.
PREVENT ka kërkuar që polarizimi fetar të trajtohet në mënyrë objektive dhe pa dallim, duke marrë parasysh të gjitha format dhe burimet e narrativave që mund të ndikojnë në marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve.
Në reagim thuhet se përgjegjësia për një debat të shëndetshëm fetar dhe shoqëror u takon të gjithë aktorëve.
Instituti ka theksuar se edhe reagimet ndaj gjuhës stigmatizuese duhet të shmangin përgjithësimet, përjashtimin apo kundërvënien ndaj komuniteteve të tjera.
Vëmendje e veçantë, sipas PREVENT, duhet t’u kushtohet edhe narrativave fetare dhe identitare që qarkullojnë në hapësirën publike dhe që mund të ndikohen nga zhvillime jashtë Kosovës.
Instituti ka thënë se diskurset që lidhen me pozitën e komuniteteve fetare, përfshirë narrativat që lidhen me zhvillime në Serbi, duhet të vlerësohen mbi bazën e fakteve dhe në kontekstin përkatës.
PREVENT e ka lidhur këtë çështje edhe me zhvillimet e fundit dhe aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit.
Instituti ka theksuar se dokumentet procedurale, përfshirë aktakuzat, duhet të lexohen dhe interpretohen brenda kontekstit të tyre juridik.
Sipas institutit, pretendimet e paraqitura në një aktakuzë përfaqësojnë qëndrimin e Prokurorisë dhe nuk përbëjnë konstatim përfundimtar të fajësisë.
“Për këtë arsye, çdo element që lidhet me fenë, identitetin apo perceptimin shoqëror duhet të analizohet me kujdes dhe pa nxjerrë përfundime përtej asaj që përcaktohet në proceset ligjore.
PREVENT ka rikujtuar se liria e besimit dhe praktikimit të fesë garantohet me nenin 38 të Kushtetutës së Kosovës, ndërsa neni 39 garanton statusin dhe autonominë e bashkësive fetare”, thuhet ne reagim.
Instituti për Siguri ka nënvizuar se kritika ndaj Islamit, feve të tjera, institucioneve dhe praktikave fetare është pjesë e debatit demokratik, por ajo duhet të dallohet nga stigmatizimi i besimtarëve, demonizimi i komuniteteve dhe nxitja e urrejtjes, intolerancës apo përçarjes fetare e kombëtare.
Në fund, PREVENT u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë që çdo rast të gjuhës së urrejtjes, nxitjes së përçarjes, intolerancës apo dhunës me motive fetare ta trajtojnë me standarde të njëjta, pavarësisht prejardhjes së autorit, viktimës apo komunitetit të përfshirë.
Instituti u ka bërë thirrje gjithashtu mediave, komuniteteve fetare, shoqërisë civile dhe liderëve politikë që të tregojnë përgjegjësi të shtuar në komunikimin publik dhe të kontribuojnë në dialog, tolerancë dhe bashkëjetesë fetare./teve1.info/
