Përvjetori i 148-të i Lidhjes së Prizrenit, e gjen kombin shqiptar ende larg realizimit të idealeve për të cilat u angazhuan patriotët dhe intelektualët e Rilindjes Kombëtare, kështu është shprehur profesori Sulejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot”.
Ai vlerëson se shqiptarët vazhdojnë të përballen me ndarje dhe përçarje, ndërsa objektivat historike të Lidhjes së Prizrenit mbeten të parealizuara.
Profesori Mehazi thekson se situata aktuale e shqiptarëve, në shumë aspekte, i ngjan asaj të kohës së Lidhjes së Prizrenit, madje sipas tij, është edhe më e rënduar.

Sulejman Mehazi
“Përvjetori i 148 i Lidhjes së Prizrenit i gjeti shqiptarët të ndarë dhe të përçarë, pa realizuar idealet e intelektualëve dhe patriotëve të Rilindjes Kombëtare. Situata është e njëjtë si ajo e 1878 e Lidhjes së Prizrenit, bile dhe më keq. Jo që katër Vilajetet nuk u bashkuan në një, por sot nuk përmenden, në vazhdimësi po ndahemi e përçahemi. Me një fjalë objektivat e patriotëve të Lidhjes së Prizrenit edhe pas 148 vitesh të kaluara nuk u realizuan. Ata luftuan për ruajtjen e trojeve shqiptare dhe bashkimin në një shtet, kjo sot e kësaj dite nuk është realizuar”, tha ai.
Duke folur për vlerën dhe trashëgiminë e Lidhjes së Prizrenit, Mehazi vlerëson se ideali i saj është zbehur në realitetin politik të shqiptarëve të sotëm, ndërsa fryma bashkuese e rilindësve nuk është jetësuar.
“Rilindasit e Lidhjes së Prizrenit fuqishëm kundërshtonin copëtimin e trojeve shqiptare, kurse neve na këndet të jetojmë të ndarë në katër- pesë shtete për shkak bajraktarizmeve politike Vlera dhe ideali i Lidhjes së Prizrenit te shqiptarët e sotëm ka mbetuar kujtim i bukur i parealizuar, historikisht po ka mbetuar organizatë e parë ushtarake e politike, asgjë më shumë për shqiptarët e sotëm”, përfundoi Mehazi për “Bota sot”.
