Indeksimi i pensioneve do të bëhet në muajin prill 2027 me një vlerë 1.35 miliardë lekë. Nga janari do të dyfishohet vlera e bonusit mujor të pensionistëve, me kosto prej 20 miliardë leke, si dhe 13 miliardë lekë do të kalojë në fondin special në Bankën e Shqipërisë.
Rreth 10 miliardë euro do të jetë buxheti për vitin 2027, i cili mbështetet mbi pritshmëritë për vijim të rritjes ekonomike e udhëhequr nga sektori i shërbimeve dhe ndërtimi.
Edhe pse drafti ende nuk është finalizuar, në një emision televiziv u zbuluan disa nga shtyllat kryesore të këtij buxheti.
Ministria e Shëndetësisë do të mbajë fronin për buxhetin më të madh me 89.3 miliardë lekë, ku do të vijojë mbështetja për barnat onkologjike. Më pas me rritjen më të madhe është Ministria e Mbrojtjes me fond në total 76.5 miliardë lekë. Në 2027, shpenzimet e mbrojtjes kapin nivelin e 2.35% te PBB ose 68.8 miliardë leke.

Sa i takon bujqësisë, buxheti i ministrisë rritet me vetëm 1 miliardë lekë dhe do të arrijë në 16.5 miliardë lekë në total. Tek bujqësia parashikohet që skema kombëtare të jetë 5.3 miliardë lekë nga 5.2 miliardë lekë këtë vit, do të vijohet me kompensimin e TVSH-së për fermerët me një vlerë 3 miliardë lekë dhe është vënë si objektiv edhe zhbllokimi i fondeve të IPARD III prej 94 milionë euro.
Kurse në aspektin më social, projektbuxheti parashikon afro 35 miliardë lekë për pensionistët për vitin 2027.
Indeksimi i pensioneve do të bëhet në muajin prill 2027 me një vlerë 1.35 miliardë lekë. Nga janari do të dyfishohet vlera e bonusit mujor të pensionistëve, me kosto prej 20 miliardë leke, si dhe 13 miliardë lekë do të kalojë në fondin special në Bankën e Shqipërisë.
Pensionet urbane të plota me vlerë deri 40 mijë lekë do të marrin 3600 lekë në muaj. Pensionet urbane të pjesshme me vlerë deri 22 mijë lekë do të marrin 1600 lekë, pensionet rurale me vlerë deri 18 mijë lekë në muaj përfitojnë bonus 2000 lekë, gjithashtu dyfish do marrin edhe pensionet familjare (1400) dhe ato të invaliditetit (1200 lekë). kush kalon tavanet nuk përfiton, madje një qytetar që ka pensionin 36 mijë lekë nuk do ta marrë të plotë bonusin që të mos kalojë 40 mijë lekëshin.

Më shumë para janë parashikuar edhe për pushtetin vendor, vlera e transfertës për bashkitë është 56 miliardë lekë, por ende nuk është saktësuar formula e shpërndarjes për shkak të reformës territoriale të miratuar në mesnatë këtë të premte.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm që do të financohet me buxhetin e 2027-ës, do të jetë edhe reforma e re e mbështetjes së familjeve për fëmijët.
25 mijë fëmijë pritet të jetë numri i përfituesve të skemës së re të bonusit të bebeve që do të jetë në fuqi nga mesi i vitit të ardhshëm. Qeveria planifikon që të japë 5 mijë lekë në muaj për fëmijën e parë, 7 mijë lekë për të dytin dhe 10 mijë lekë për të tretin e në vijim deri në moshën 5 vjeçare.
