Lajme

Protesta përfundon pas mesnate, Policia tregon çfarë ndodhi: Nuk pati incidente serioze

Policia e Kosovës ka njoftuar për angazhimet e saj gjatë protestës së mbajtur të martën në sheshet e Prishtinës, pranë Kuvendit të Kosovës.

Sipas Policisë, masat e nevojshme ishin ndërmarrë për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, mbrojtjen e objekteve private dhe publike, si dhe për mbarëvajtjen e protestës deri në përfundimin e saj.

Protesta, e cila kishte nisur gjatë orëve të paradites, ka zgjatur gjatë gjithë ditës dhe ka përfunduar pas mesnatës, pas përfundimit të seancës së Kuvendit, ku u votua plotësim-ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe u zgjodh Presidentja e Kosovës.

Policia ka bërë të ditur se protesta përfundoi kryesisht e qetë dhe pa incidente serioze, transmeton “Bota sot”.

“Përjashtuar hedhjen e mjeteve piroteknike dhe fishekzjarrëve nga disa protestues”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin, protestimin e qetë dhe respektimin e udhëzimeve policore, duke theksuar se këto veprime kanë kontribuar në mbarëvajtjen e protestës dhe ruajtjen e qetësisë publike.

Në fund, Policia ka theksuar se, në përputhje me mandatin e saj ligjor dhe kushtetues, do të vazhdojë me detyrat e rregullta policore.

Të Ngjashme