Policia e Kosovës ka njoftuar se dy persona janë shoqëruar në polici pas protestave të zhvilluara në Prishtinë dhe disa qytete të tjera të Kosovës, pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas Policisë, protestuesit fillimisht u mblodhën në sheshet kryesore të Prishtinës dhe qyteteve të tjera, ndërsa pas shpalljes së aktgjykimit një pjesë e tyre u nisën drejt ish-objektit të EULEX-it dhe më pas drejt bazës së këtij misioni.
Policia ka bërë të ditur se pranë objektit të EULEX-it, disa protestues kanë tentuar të depërtojnë përmes rrethojave, ndërsa gjatë protestës janë hedhur gurë dhe mjete të forta drejt rrethojave dhe objektit.
Sipas njoftimit, protestuesit kanë tentuar në disa raste edhe të kalojnë kordonin policor.
Protesta më pas ka vazhduar pranë objektit të Qeverisë së Kosovës.
Policia njofton se, edhe aty, disa protestues kanë tentuar të kalojnë rrethojat dhe kordonin policor, ndërsa janë hedhur mjete të forta drejt objektit.
Brenda turmës, sipas Policisë, ka pasur edhe persona të maskuar që kanë hedhur gurë.
Për shkak të situatës së krijuar, Policia ka shtuar prezencën në terren dhe ka ndërmarrë masa për parandalimin e incidenteve dhe mbrojtjen e objekteve dhe qytetarëve.
Si rezultat i veprimeve policore, dy persona janë shoqëruar në polici.
Me vendim të prokurorit, njërit prej tyre i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa personi tjetër është liruar dhe do të ndiqet në procedurë të rregullt.
Përkohësisht është ndërprerë dhe riorientuar edhe qarkullimi në rrugën Prishtinë–Fushë Kosovë dhe në rrugën Bill Klinton.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje protestuesve që pakënaqësitë e tyre t’i shprehin në mënyrë të qetë dhe ligjore, si dhe të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë./teve1.info/
