Lajme

Protestat, reagon kompania që do ndërtojë në Sazan: Destinacion i klasit botëror, por vendimi u takon shqiptarëve!

Investitorët që do ndërtojnë në ishullin e Sazanit shprehen se e ardhmja e projektit do të varet nga vendimmarrja e Shqipërisë dhe e qytetarëve të saj.

Teksa shqiptarët po protestojnë prej 16 ditësh në Tiranë, qytete të tjera dhe përtej kufijve, kompania që do zhvillojë projektin turistik në ishullin e Sazanit ka reaguar për herë të parë publikisht. Ky reagim vjen në një kohë kur investimi është kthyer në objekt polemikash dhe kundërshtimesh nga grupe qytetarësh dhe aktivistësh.

Përmes një postimi të publikuar nga faqja “Sazan Coast” në platformën X, drejtori i Sazan Real Estate Development LLC, Asher Abehsera, ka deklaruar se prej katër vitesh po punohet për ndërtimin e një destinacioni turistik të standardeve ndërkombëtare në bregdetin shqiptar.

Sipas tij, projekti është ndërtuar mbi planifikim afatgjatë, respekt për mjedisin dhe synimin për të krijuar mundësi të qëndrueshme ekonomike për vendin.

“Prej katër vitesh kemi punuar për të krijuar një destinacion të klasit botëror në bregdetin shqiptar, një projekt i mbështetur në planifikim të kujdesshëm, kujdes ndaj mjedisit dhe mundësi ekonomike afatgjata”, -shprehet ai.

Abehsera thekson se ardhmja e Sazanit do të përcaktohet përfundimisht nga Shqipëria dhe nga shqiptarët.

“Prej katër vitesh kemi punuar për të krijuar një destinacion të klasit botëror në bregdetin shqiptar – një projekt i mbështetur në planifikim të kujdesshëm, kujdes ndaj mjedisit dhe mundësi ekonomike afatgjata.

Qëllimi ynë është i thjeshtë: të vlerësojmë bukurinë natyrore të Shqipërisë, të krijojmë vende pune dhe të ndërtojmë diçka për të cilën brezat e ardhshëm mund të jenë krenarë. E ardhmja e tij do të përcaktohet përfundimisht nga Shqipëria dhe nga shqiptarët. Asher Abehsera, kryetar i Sazan Real Estate Development LLC.”-thuhet në deklaratë.

Protestat kundër qeverisë kanë vendosur në qendër të debatit publik jo vetëm Zvërnecin, por edhe Sazanin. Edhe pse në mediat e huaja po pasqyrohet se protestat janë kundër investimeve të Ivanka Trump dhe burrit të saj Kushner në Sazan dhe Zvërnec, në fakt tubimet kanë marrë tjetër drejtim. Nuk po përmendën më këto investime.

Reagimi vjen në një moment kur projekti në ishullin e Sazanit vijon të jetë në qendër të diskutimeve publike, ndërsa kundërshtarët e tij kanë ngritur shqetësime për ndikimin e mundshëm në mjedis dhe në pasuritë natyrore të zonës.

Ndërkohë, autoritetet shqiptare kanë deklaruar më herët se investimi do t’i nënshtrohet procedurave ligjore dhe standardeve mjedisore të kërkuara, ndërsa debati mbi të ardhmen e projektit mbetet i hapur.

Të Ngjashme