Ngurtësia dhe dhimbja në nyje pas gjumit ose qëndrimit të gjatë ulur janë shqetësime të zakonshme për shumë persona. Ekspertët shpjegojnë se në shumicën e rasteve kjo është një reagim normal i trupit ndaj mungesës së lëvizjes, por ndonjëherë mund të jetë edhe shenjë e problemeve më serioze shëndetësore.
Nyjet janë strukturat që lidhin dy ose më shumë eshtra dhe mundësojnë lëvizjen e trupit. Brenda tyre ndodhet lëngu sinovial, i cili lubrifikon nyjet, redukton fërkimin mes eshtrave dhe ushqen kërcin.
Sipas specialistëve, qëndrimi i zgjatur ulur ose shtrirë mund të shkaktojë grumbullim të lëngjeve rreth nyjeve, ulje të qarkullimit të gjakut dhe tendosje të muskujve përreth. Për pasojë, hapat e parë pas zgjimit ose pushimit shpesh shoqërohen me ndjesi ngurtësie dhe parehati.
“Në këtë situatë, hapat e parë pas pushimit mund të jenë më të vështirë, veçanërisht pas gjumit të natës”, shpjegon kirurgu ortoped, Dr. Samuel Ashby.
Kur ngurtësia konsiderohet normale?
Ekspertët theksojnë se ngurtësia e përkohshme pas gjumit ose uljes së gjatë është e zakonshme dhe zakonisht largohet brenda pak minutash sapo personi fillon të lëvizë.
Pozicioni i papërshtatshëm gjatë gjumit, përdorimi i një dysheku ose jastëku jo cilësor, mosha e avancuar, mbipesha dhe dehidratimi mund të ndikojnë gjithashtu në shfaqjen e këtij fenomeni.
Në përgjithësi, ngurtësia që largohet brenda 30 minutash dhe nuk pengon aktivitetet e përditshme nuk konsiderohet shqetësuese.
Osteoartriti, një nga shkaqet më të zakonshme
Një ndër arsyet kryesore të ngurtësisë së nyjeve është osteoartriti, një sëmundje degjenerative që shfaqet kur kërcin mbrojtës i nyjeve dëmtohet gradualisht.
Kjo gjendje prek më shpesh gjunjët, ijët, duart dhe shtyllën kurrizore, duke shkaktuar dhimbje gjatë lëvizjes, si dhe ndjesi kërcitjeje ose “plasjesh” në nyje.
Kur mund të bëhet fjalë për inflamacion?
Format inflamatore të artritit, si artriti reumatoid, si dhe sëmundje autoimune si lupusi, mund të shkaktojnë ngurtësi më të zgjatur dhe më problematike.
Në këto raste, ngurtësia e mëngjesit mund të zgjasë më shumë se 30 deri në 60 minuta dhe shoqërohet me ënjtje, skuqje, nxehtësi në nyje, lodhje dhe dobësi të përgjithshme.
Kur duhet të konsultoheni me mjekun?
Mjekët rekomandojnë të kërkohet ndihmë profesionale nëse:
Ngurtësia zgjat më shumë se 30 deri në 60 minuta;
Dhimbja përkeqësohet me kalimin e kohës;
Shfaqen ënjtje, nxehtësi ose skuqje në nyje;
Lëvizjet bëhen të kufizuara;
Dhimbja ndikon në gjumin dhe aktivitetet e përditshme.
Si mund të lehtësohen simptomat?
Specialistët këshillojnë shmangien e lëvizjeve të menjëhershme pas zgjimit dhe rekomandojnë ushtrime të lehta shtrirjeje, ecje të ngadaltë dhe aktivitet fizik të rregullt.
Ecja, noti, çiklizmi, joga, pilatesi dhe ushtrimet e shtrirjes ndihmojnë në ruajtjen e fleksibilitetit të nyjeve dhe reduktimin e ngurtësisë.
Po ashtu, rekomandohet të mos qëndrohet ulur për periudha të gjata, por të bëhen pushime çdo 30 deri në 60 minuta për t’u ngritur dhe lëvizur.
Në shumicën e rasteve, ngurtësia e nyjeve është një reagim i zakonshëm ndaj mungesës së lëvizjes dhe largohet shpejt pas aktivitetit. Megjithatë, nëse simptomat bëhen të vazhdueshme ose ndikojnë në cilësinë e jetës, konsultimi me mjekun mbetet zgjidhja më e mirë.
