Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur në Kuvendin e Kosovës se shpenzimet buxhetore për Policinë e Kosovës kanë arritur në 782 milionë euro, ndërsa 189 milionë euro janë ndarë për investime në pajisje dhe mjete të nevojshme për punën e saj.
Gjatë raportimit në Kuvend, Sveçla ka thënë se investimet kanë përfshirë uniforma, armatim, municion, makineri të rënda, teknologji informative, sisteme të radiokomunikimit, automjete, mirëmbajtje dhe pajisje të tjera.
Ai ka bërë të ditur se aktualisht Policia e Kosovës ka 180 kontrata operative, me vlerë mbi 70 milionë euro, të cilat përfshijnë furnizime, shërbime logjistike, investime në teknologji informative, si dhe projekte për ndërtimin dhe renovimin e objekteve policore.
Ministri ka theksuar gjithashtu se gjatë periudhës së qeverisjes së tij janë rekrutuar mbi 3 mijë e 40 zyrtarë policorë, duke vlerësuar se rritja e numrit të tyre ka shtuar edhe nevojat për pajisje dhe uniforma.
“Deri më tani, shpenzimi buxhetor për Policinë e Kosovës ka arritur në 782 milionë euro, prej të cilave 189 milionë euro janë shpenzuar për uniforma, armatim, municion, makineri të rënda dhe tërë teknologjinë informative, radiokomunikim, automjete, mirëmbajtje dhe pajisje të tjera”, ka deklaruar Sveçla.
Duke folur për furnizimin me uniforma dhe pajisje, ai ka thënë se nevojat e zyrtarëve policorë po adresohen vazhdimisht, ndërsa ka bërë të ditur se kontrata për uniformat e Policisë së Rendit tashmë është nënshkruar.
“Gjatë qeverisjes sime janë rekrutuar mbi 3 mijë e 40 policë. Natyrisht, meritë kanë edhe zyrtarët policorë për rritjen dhe nevojat për pajisje, uniforma dhe mbathje. Por këto nevoja po adresohen dhe po përmbushen vazhdimisht”, është shprehur ministri.
Ai ka shtuar se, për shkak të çështjeve që lidhen me sigurinë dhe interesat operative të Policisë së Kosovës, jo të gjitha të dhënat mund të bëhen publike.
Sa i përket furnizimit me uniforma për Policinë e Rendit, Sveçla ka njoftuar se kontrata është nënshkruar dhe se furnizimi pritet të nisë në ditët dhe javët në vijim.
