Enver Hoxhaj nga PDK ka folur në emisionin “Këndi i debatit” në Tëvë1 për dy kandidaturat e propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje për president, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, duke sqaruar edhe qëndrimin e PDK-së për mosvotimin e Feride Rushitit.
Hoxhaj ka vlerësuar figurat e propozuara, por ka thënë se problemi qëndron te procesi politik dhe jo te individët.
“Të dy figurat janë të respektuara, si zonja Rushiti ashtu edhe zonja Hoxha. Nga ana ime, znj. Hoxha ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës, ndërsa znj. Rushiti e çmoj shumë për punën e saj. Problemi është tek procesi, sepse nëse ne si opozitë dhe ju si media nuk po arrijmë ta mbajmë në baraspeshë këtë përpjekje të z. Kurti për ta përmbysur rendin juridik dhe kulturën politike, nuk mendoj që znj. Rushiti e ka pasur integritetin personal për t’i thënë jo z. Kurti,” ka deklaruar Hoxhaj.
Ai shtoi se çështja e presidentit nuk duhet parë vetëm si emër kandidati, por si proces politik më i gjerë.
“Sot nuk është më çështja se kush po bëhet president dhe me kë po bashkëpunon. Pyetja kryesore është a do të arrijë PDK-ja në këto katër javë të krijojë një front të përbashkët dhe të shohim si do të hyjmë në zgjedhje,” ka përfunduar Hoxhaj.
