ShowBizzz

Publikohet kënga e re e Shpat Kasapit, Selvija zbulon historinë prekëse që fshihet pas saj

Zëri i Shpat Kasapit është rikthyer te publiku përmes një kënge që mbart një histori të veçantë dhe emocione të forta.

Projekti muzikor “A je rahat pa mu” është publikuar nga bashkëshortja e tij, Selvije Jao, e cila e kishte ruajtur për muaj të tërë, pa gjetur forcën për ta ndarë me publikun.

Përmes një postimi në Instagram, Selvija ka zbuluar se historia e këngës kishte nisur pak para se Shpati të hynte në “Big Brother VIP Albania 5”, një eksperiencë që këngëtari nuk arriti ta jetonte.

Sipas saj, Shpati i kishte dërguar katër versione demo dhe i kishte kërkuar të zgjidhte atë që i pëlqente më shumë. Ajo kishte përzgjedhur pikërisht këngën që tashmë është publikuar, ndërsa plani ishte që ajo të dilte gjatë qëndrimit të tij në shtëpinë e “Big Brother”.

Por ndarja e parakohshme e këngëtarit nga jeta në nëntor të vitit të kaluar ndryshoi gjithçka.

Selvija ka treguar se rreth muajit mars ose prill, producenti Anton Prendi ia kishte dërguar këngën të përfunduar. Ajo ka falënderuar gjithashtu Arti Rec dhe Imperial B për kontributin dhe mbështetjen e tyre.

Megjithatë, për muaj të tërë, projekti mbeti vetëm për të. Dhimbja dhe ngarkesa emocionale nuk e lejonin ta ndante me publikun një këngë që tashmë kishte marrë një kuptim krejt tjetër.

“Sot, titulli ‘A je rahat pa mu’ më dhemb më shumë se çdo fjalë tjetër”, ka shkruar Selvija në rrjetet sociale.

Për të, publikimi i këngës është më shumë se një projekt muzikor. Ajo e konsideron si një amanet të Shpatit, një mënyrë për ta mbajtur gjallë zërin e tij dhe për t’i dhënë mundësinë publikut ta dëgjojë edhe një herë.

Kështu, “A je rahat pa mu” vjen si një kujtim emocional për këngëtarin e ndjerë, duke rikthyer përmes muzikës një pjesë të zërit dhe historisë së tij.

 

Të Ngjashme