Lajme

Qëndrimi i Ficos ndaj Kosovës, sfidë për Prishtinën – ja si duhet të veprojë Kosova përballë Serbisë

Qëndrimi i kryeministrit sllovak, Robert Fico, në raport me Serbinë dhe Kosovën duhet të shihet në kontekstin e politikës së jashtme evropiane, së drejtës ndërkombëtare dhe zhvillimeve gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor. Deklaratat e tij rikthejnë në vëmendje sfidat diplomatike me të cilat përballet Kosova në rrugën drejt konsolidimit të subjektivitetit ndërkombëtar dhe integrimit evropian.

Në një prononcim për këtë çështje, analisti Nijazi Halili vlerëson se qëndrimi i Sllovakisë është tregues i vazhdimësisë së politikës së saj ndaj Kosovës, por nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimin e përgjithshëm të Bashkimit Evropian.

“Deklaratat e Ficos përbëjnë një sinjal të qartë të vazhdimësisë së politikës së Sllovakisë për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Njëkohësisht, ato dëshmojnë se çështja e Kosovës mbetet pjesë e dinamikave politike dhe diplomatike brenda vetë Bashkimit Evropian”, thuhet në vlerësimin e tij.

Image
Nijazi Halili

Sipas analistit, fakti që Sllovakia është anëtare e Bashkimit Evropian i mundëson asaj të ndikojë në debatet dhe proceset vendimmarrëse evropiane, por kjo nuk do të thotë se mund ta përcaktojë e vetme politikën e Unionit.

“Problemi qëndron te mungesa e një qëndrimi të unifikuar të pesë shteteve anëtare që ende nuk e njohin Kosovën, rrethanë kjo që e ndërlikon konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”, thekson ai.

Duke folur për raportet ndërmjet Bratislavës dhe Beogradit, analisti vlerëson se mbështetja politike e Sllovakisë mund t’i krijojë Serbisë hapësirë shtesë diplomatike për të promovuar qëndrimet e saj lidhur me Kosovën.

“Në aspektin strategjik, mbështetja politike e Bratislavës për Beogradin mund t’i krijojë Serbisë hapësirë shtesë diplomatike për të promovuar qëndrimet e saj lidhur me Kosovën. Megjithatë, kjo nuk nënkupton se qëndrimi i Sllovakisë përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimin e përgjithshëm të Bashkimit Evropian”, shprehet ai.

Sipas tij, dallimet ndërmjet shteteve anëtare dëshmojnë se politika evropiane ndaj Ballkanit Perëndimor vazhdon të karakterizohet nga interesa dhe qasje të ndryshme kombëtare.

Analisti konsideron se sfida kryesore për Kosovën është që perspektivën evropiane ta shndërrojë në një proces të qëndrueshëm diplomatik dhe institucional.

“Për Kosovën, sfida kryesore është shndërrimi i perspektivës evropiane në një proces të qëndrueshëm diplomatik dhe institucional. Kjo kërkon diplomaci aktive me secilin shtet anëtar, argumentim juridik të bazuar në të drejtën ndërkombëtare, forcim të institucioneve demokratike dhe konsolidim të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët evropianë”, vlerëson Halili për ‘Bota sot’.

Në këtë drejtim, ai thekson edhe përgjegjësinë e Bashkimit Evropian për të ruajtur koherencën në politikën e zgjerimit dhe besueshmërinë e perspektivës evropiane për vendet e rajonit.

“Stabiliteti afatgjatë në Ballkan nuk mund të ndërtohet vetëm përmes marrëveshjeve politike, por kërkon respektim të parimeve të së drejtës ndërkombëtare, fqinjësi të mirë dhe marrëdhënie të bazuara në barazi e reciprocitet”, thuhet në vlerësim.

Në përfundim, analisti vlerëson se qëndrimi i kryeministrit sllovak përbën një sfidë diplomatike për Prishtinën, por nuk duhet parë si përcaktues i së ardhmes evropiane të Kosovës.

“Përgjigjja më efektive duhet të jetë diplomacia e argumentuar, forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar dhe ndërtimi i aleancave që e trajtojnë Kosovën si partner të rëndësishëm në arkitekturën evropiane të sigurisë dhe bashkëpunimit”, përfundon ai.

Të Ngjashme