Lajme

Tre policë dyshohen se i kërkuan favore seksuale vajzës pa patentë, suspendohen nga detyra

Tre zyrtarë policorë të Stacionit Policor “Jugu” në Prishtinë janë suspenduar nga detyra dhe ndaj tyre është iniciuar procedurë penale. Ata dyshohen se një vajze, të cilën e ndalën duke vozitur pa leje vozitjeje, i kërkuan favore seksuale në këmbim të mosgjobitjes.

Rasti ka ndodhur rreth mesnatës së 15 tetorit. Tre zyrtarët, gjatë patrullimit në orarin e punës, ndalën për kontroll një veturë që drejtohej nga një vajzë. Gjatë kontrollit të dokumenteve rezultoi se ajo nuk kishte leje vozitjeje.

Sipas burimeve, në vend që ta gjobitnin, policët dyshohet se i propozuan të shkonte me ta në një motel në Çagllavicë, për favore seksuale.

Vajza u nis me veturë pas tyre. Sipas të njëjtave burime, gjatë rrugës ajo ndryshoi drejtim dhe shkoi te një familjare e saj. Më pas, të dyja së bashku shkuan te rrethrrotullimi i Çagllavicës, ku i prisnin policët. Ata nuk e kishin pritur që nga vetura të dilte familjarja e vajzës.

Familjarja u përball me zyrtarët dhe u tha se kishte përgatitur një raport të detajuar për komandantin e Stacionit “Jugu”. Raporti iu dorëzua komandës. Rasti u raportua në Polici dhe u dorëzuan edhe provat që ishin siguruar.

Çfarë thotë Policia

Policia e Kosovës ka konfirmuar se rasti është raportuar më 15 tetor, pas pranimit të informacioneve për përfshirjen e mundshme të zyrtarëve policorë. Sipas Policisë, ajo vetë e njoftoi Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) dhe u koordinua me të për sigurimin dhe dokumentimin e provave. Pala ankuese është udhëzuar të paraqitet në IPK për të dhënë deklaratë para hetuesve.

Pas shqyrtimit të provave, IPK-ja rekomandoi suspendimin e tre zyrtarëve, rekomandim që menaxhmenti i Policisë e zbatoi. Të dyshuarit, të cilët sipas burimeve i përkasin gjeneratave të fundit të policëve, dyshohen për veprat penale të ngacmimit seksual dhe kontrollimit të paligjshëm, duke keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar.

Me udhëzim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ndaj tyre është iniciuar procedura penale.

Reagon Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka mirëpritur angazhimin e përbashkët të IPK-së dhe Policisë në trajtimin e rastit. “Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që asnjë individ të njollosë Policinë e Kosovës”, ka shkruar Sveçla në Facebook. Ai theksoi se çdo keqpërdorim në emër të Policisë dënohet pa kompromis.

[Lexo: Sveçla reagon pas suspendimit të tre policëve të dyshuar për ngacmim seksual]

Pesë policë të suspenduar në një ditë

Në të njëjtin njoftim, Policia bëri të ditur se në një rast të veçantë janë suspenduar edhe dy zyrtarë të Stacionit Policor në Gjilan, pas bashkëpunimit me IPK-në. Me këtë, numri i policëve të suspenduar në dy rastet shkon në pesë.

[Lexo: Nga Prishtina në Gjilan: Pesë policë nën dyshime për vepra penale]

Të dyshuarit gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Të Ngjashme