Organizata e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri ka përsëritur thirrjen për dialog konstruktiv dhe uljen e tensioneve, në një kohë kur protestat në vend janë shoqëruar me përplasje dhe raportime për dhunë.
Në reagimin e saj, OKB thekson se aktet e dhunës dhe shkatërrimi i pronës publike apo private janë të papranueshme dhe nuk kanë vend në një shoqëri demokratike e paqësore.
Organizata nënvizon gjithashtu rëndësinë e mbrojtjes së së drejtës për tubim paqësor dhe të lirisë së shtypit, duke kërkuar që këto të drejta themelore të respektohen dhe të garantohen.
Një tjetër pikë e rëndësishme e mesazhit lidhet me veprimet e forcave të rendit, të cilat duhet të jenë në përputhje me parimin e proporcionalitetit. OKB thekson edhe domosdoshmërinë e garantimit të procesit të rregullt ligjor për çdo person.
Reagimi i OKB-së në Shqipëri:
“OKB në Shqipëri përsërisin sërish apelin për dialog konstruktiv për uljen e tensioneve. Aktet e dhunës dhe shkatërrimi i pronës publike apo private janë të papranueshme dhe nuk kanë vend në një shoqëri demokratike e paqësore.
Përforcojmë mesazhin se e drejta për tubim paqësor dhe liria e shtypit janë të drejta themelore që duhen respektuar dhe mbrojtur.
Theksojmë gjithashtu rëndësinë e respektimit të parimit të proporcionalitetit në veprimet e forcave të rendit dhe të garancive për një proces të rregullt ligjor.”
