Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka përkujtuar dëshmorët e rënë gjatë muajit qershor, duke vlerësuar lart sakrificën dhe kontributin e tyre në rrugën drejt lirisë së Kosovës.
OVL-UÇK theksoi se qershori mbetet një nga muajt më domethënës në historinë e luftës çlirimtare, duke kujtuar me nderim të gjithë ata që dhanë jetën për atdheun.
“Qershori i lavdisë dhe i sakrificës mbetet i gdhendur përgjithmonë në kujtesën tonë kombëtare. Në këtë muaj të rëndësishëm për historinë e luftës sonë çlirimtare, përulemi me nderim të thellë para veprës dhe flijimit të dëshmorëve, të cilët me gjakun e tyre shtruan rrugën e lirisë së Kosovës”, thuhet në reagimin e organizatës.
Sipas organizatës, lavdia dhe sakrifica e dëshmorëve do të mbeten pjesë e pandashme e historisë së Kosovës dhe frymëzim për brezat që do të vijnë.
“Me respektin dhe përulësinë më të madhe, i kujtojmë dhe i nderojmë përjetësisht dëshmorët e rënë gjatë luftës sonë çlirimtare në muajin qershor. Lavdia e tyre do të jetojë përherë në historinë e Kosovës”, thuhet në mesazhin e OVL-UÇK-së.
