Qeveria e Kosovës ka vlerësuar se nuk ka pengesa ligjore për nismën e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Vendimi është miratuar më 2 tetor dhe, bashkë me mendimin e Qeverisë, i është dërguar Kuvendit.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se partia e tij kërkon që ligji të miratohet në dy lexime dhe, më pas, është e gatshme të diskutojë për zgjedhjen e presidentit.
“Vazhdimisht jam duke e thënë: kërkesa e PDK-së është aprovimi i ligjit me dy lexime, aprovimi final i ligjit. Pastaj Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme që, në të njëjtën ditë, në seancën e radhës, të bisedojmë, të gjejmë zgjidhjen për Presidentin edhe t’i japim votat për Presidentin”, ka thënë Hamza.
Veprimtari dhe publicisti, Saim Tahiraj, vlerëson se PDK-ja po e përdor çështjen e Gjykatës Speciale si kusht për marrëveshje politike me VV-në, ndërsa protestat dhe emocionet e qytetarëve po shndërrohen në kapital elektoral.
Ai e cilëson këtë si kalkulim politik dhe kërkon më shumë transparencë e përgjegjësi.
“Për ta arsyetuar hyrjen në koalicion me VV-në dhe zgjedhjen e presidentit, PDK-ja po e kushtëzon këtë proces me votimin e ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale.
Por, ndërkohë, të gjitha protestat, deklaratat dhe veprimet e tjera politike po përpiqet t’i shndërrojë në kapital politik dhe në mundësi për rritjen e elektoratit të saj.
Pra, një çështje jashtëzakonisht e ndjeshme për shoqërinë kosovare po përdoret si mjet në pazaret politike të ditës.
Kësaj i thonë “moral politik” në PDK!
Kur një çështje e drejtësisë shndërrohet në kusht për pazare politike, ndërsa protestat dhe emocionet e qytetarëve përdoren për interesa partiake, atëherë kemi të bëjmë me manipulim politik me masën dhe me ndjenjat e qytetarëve.
Qytetarët meritojnë transparencë dhe përgjegjësi politike, jo kalkulime të kamufluara si parime.
Ky është pazari politik që duhet parë dhe gjykuar nga qytetarët” – dekaroi ai për “Bota sot”.
