Lajme

Qorrolli flet për takimin me LDK-në: Pozita e Kurtit është e padiskutueshme, të tjerat negociohen

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, ka shprehur optimizëm se takimi i së martës mes LVV-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës mund të rezultojë me një marrëveshje politike për zhbllokimin e institucioneve.

Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Qorrolli tha se pret që LDK-ja të marrë pjesë në negociata me frymë konstruktive dhe të tregojë gatishmëri për një marrëveshje.

“Ne besojmë që LDK-ja do ta ketë guximin. Ata janë grupi i tretë më i madh, me 18 deputetë. Besojmë që takimi i nesërm do të kalojë në një frymë konstruktive, që mund të sjellë rezultat, i cili në gjykimin tim është i mundshëm dhe pozitiv, e që mund të çojë në një marrëveshje mes dy subjekteve”, ka thënë Qorrolli.

Ai shtoi se negociatat mes dy partive po zhvillohen në një atmosferë të qetë dhe se fokusi është krijimi i institucioneve stabile.

“Negociatat, sikurse edhe nesër, kanë një relaks të jashtëzakonshëm mes dy partive. Ne mbesim shumë besimplotë që LDK-ja do ta ketë kurajën të negociojë mbi premisa politike që do t’i ofrojnë Kosovës institucione stabile katërvjeçare. Më e rëndësishme sesa emrat është që Kosova të ketë institucione me legjitimitet të plotë për katër vjet”, u shpreh ai.

I pyetur nëse LVV-ja është e gatshme për një marrëveshje ku LDK-ja të jetë pjesë e qeverisë, Qorrolli tha se në tavolinën e negociatave nuk ka tema të ndaluara, por se posti i kryeministrit nuk është i negociueshëm.

“Jemi brenda rregullave të lojës politike dhe të konsensusit politik. Nuk besoj se do të ketë tema tabu. Do të flitet për gjithçka. Institucioni i kryeministrit është i pakontestueshëm dhe ai do të jetë Albin Kurti. Ndërkohë, për pozitat e tjera besoj se do të gjendet një formulë në kuadër të një marrëveshjeje politike, ku do të negociohet pjesëmarrja në qeveri, përbërja e saj dhe më pas edhe pozita e presidentit”, deklaroi ai.

Duke folur për zgjedhjen e presidentit, Qorrolli tha se LVV-ja nuk e mbështet një mandat të dytë për presidenten aktuale, Vjosa Osmani.

“Ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë për presidenten Osmani. LVV nuk preferon që të jetë sërish presidente. Ne duam një emër konsensual, që mund të jetë më afër vlerave që ndajnë dy partitë politike. Për momentin nuk ka dakordim për emrin e saj, madje as brenda grupit parlamentar”, tha ai.

Në fund, ai shtoi se, sipas njohurive të tij, brenda Grupit Parlamentar të LVV-së nuk ekziston mbështetje unanime për rikandidimin e Osmanit.

“E kam bërë të ditur disa herë se nuk bëhem ‘macja e zezë’, por me sa di unë, brenda grupit parlamentar nuk ka pajtueshmëri për kandidaturën e saj. Ka shumë deputetë që kanë thënë se nuk e pëlqejnë Osmanin për presidente”, theksoi Qorrolli.

Të Ngjashme