Deklarata e ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, se pas certifikimit të rezultateve zgjedhore partitë politike duhet të angazhohen në dialog për të gjetur një zgjidhje lidhur me çështjen e presidentit, po shihet si një domosdoshmëri për tejkalimin e ngërçit politik në vend.
Analisti dhe politologu Fahredin Majkovci thotë se koha ka treguar se deklaratat politike, pa veprime konkrete, shpesh mbesin vetëm në nivel retorik. Sipas tij, tashmë ka ardhur momenti që subjektet politike të tejkalojnë sfidën e sigurimit të kuorumit për zgjedhjen e presidentit dhe të hapin rrugë për funksionimin normal të institucioneve.
Duke folur për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje politike për presidentin, ndonëse vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme pikërisht për shkak të mungesës së konsensusit, Majkovci vlerëson se mesazhi i qytetarëve duhet të lexohet me kujdes.

Fahredin Majkovci
“Dy palë zgjedhjet e fundit, ndonëse të panevojshme, kanë përcjellë një mesazh tejet interesant nga qytetari. Zgjedhjet e para u karakterizuan me dalje të lartë në votime, ndërsa të fundit me pjesëmarrje dukshëm më të ulët. Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, LDK pësoi rënie të konsiderueshme të votave, ndërsa në zgjedhjet e fundit qytetari bëri që rënie të kenë edhe VV dhe PDK. Ky është një sinjal i qartë se qytetarët po lodhen nga kalkulimet politike dhe mungesa e marrëveshjeve për çështje që lidhen drejtpërdrejt me funksionimin e shtetit”, deklaroi ai për ‘Bota sot’.
Sipas Majkovcit, partitë politike duhet ta kuptojnë qartë këtë mesazh dhe të gjejnë rrugën e bashkëpunimit.
Ai thotë se pret që subjektet politike të tregojnë pjekuri dhe të arrijnë marrëveshje për formimin e institucioneve dhe sigurimin e stabilitetit politik në vend.
I pyetur nëse partitë do t’i lënë anash inatet politike dhe ambiciet për pushtet në të mirë të funksionimit të shtetit, Majkovci thekson se Kosova ka nevojë urgjente për institucione stabile dhe funksionale.
“Ka ardhur koha që vendi të ketë institucione stabile dhe funksionale, institucione që burojnë nga përgjegjësia politike dhe nga vullneti për bashkëpunim në interes të qytetarëve. Kosova ka nevojë për stabilitet politik, për vendimmarrje dhe për energji të përqendruar në zhvillim ekonomik, arsim, shëndetësi dhe integrime, e jo për kriza të vazhdueshme politike e zgjedhje të njëpasnjëshme”, shprehet ai.
Më tej, analisti thekson se interesi shtetëror duhet të vihet mbi kalkulimet partiake.
Sipas tij, partitë politike duhet t’i japin vendit institucionet që i nevojiten dhe të dëshmojnë përgjegjësi ndaj qytetarëve.
Duke komentuar zhvillimet që priten pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, Majkovci thotë se sfida kryesore nuk do të jetë vetëm formimi i institucioneve, por aftësia e partive për të ndërtuar komunikim dhe marrëveshje funksionale.
“Pas certifikimit të rezultateve, sfida kryesore nuk do të jetë vetëm formimi i institucioneve, por aftësia e partive politike për të ndërtuar komunikim dhe marrëveshje funksionale në interes të shtetit. Kosova tashmë ka kaluar nëpër disa procese zgjedhore brenda një periudhe të shkurtër dhe qytetarët kanë dhënë sinjale të qarta se presin stabilitet”, tha ai.
Majkovci vlerëson se rezultatet e zgjedhjeve të fundit tregojnë qartë pakënaqësinë e elektoratit ndaj polarizimit politik.
Ai thekson se rënia e mbështetjes për partitë politike dëshmon se qytetarët po ndëshkojnë bllokadat dhe mungesën e bashkëpunimit.
“Kosova ka nevojë për një fazë të re politike, ku prioritet të jenë zhvillimi dhe interesat e qytetarëve, e jo krizat e vazhdueshme politike. Qytetari e ka dhënë mesazhin e tij. Tani radha është e politikës që ta dëgjojë”, përfundon Majkovci.
