Një 27-vjeçar shqiptar ndodhet në gjendje kritike në spitalin Son Espases në Palma të Spanjës, pas një aksidenti të rëndë të ndodhur më 15 qershor në ishullin e Mallorcës.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e njohur turistike Caló des Moro, në komunën Santanyí, ku i riu ka rënë nga një lartësi rreth 5 deri në 7 metra, në një terren shkëmbor. Si pasojë e rënies, ai ka pësuar dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore dhe u transportua me helikopter emergjence drejt spitalit.
Sipas familjarëve, 27-vjeçari ndodhet në repartin e terapisë intensive dhe po i nënshtrohet trajtimeve mbështetëse për jetën. Mjekët kanë filluar uljen graduale të ilaçeve për të parë nëse ai mund të zgjohet dhe të reagojë. Deri tani janë vërejtur disa shenja të lehta reagimi, përfshirë hapjen e syve.
Gjendja e tij mbetet ende kritike por nëse i riu arrin të zgjohet dhe të marrë vetë frymë, mund të vendoset një pajisje ndihmëse për frymëmarrjen, me shpresën që në të ardhmen të rifitojë disa funksione bazë si të folurit dhe ushqyerjen.
Familjarët kanë hapur edhe një GoFundMe për këdo që ka mundësi dhe dëshirë të kontribuojë në shérimin e shpejtë të Ardit, shqiptarit të aksidentuar.
