Lajme

“Rama jep dorëheqjen”/ Sot protesta e 19-të, mijëra qytetarë në sheshe e rrugë për largimin e qeverisë

Për të 19-tën ditë radhazi mijëra qytetarë do të zbresin në sheshe dhe rrugë, duke protestuar ndaj qeverisë dhe politikës shqiptare në tërësi.

Në qendër të kërkesave të protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i kabinetit qeveritar.

Megjithatë, kritikat nuk drejtohen vetëm ndaj mazhorancës. Gjatë tubimeve të fundit janë artikuluar vazhdimisht qëndrime kundër opozitës tradicionale, ndërsa slogani “Opozita jemi ne” është kthyer në një nga mesazhet më të spikatura të protestës, duke reflektuar pakënaqësinë ndaj partive të vjetra politike dhe kërkesën për një përfaqësim të ri qytetar.

Organizatorët kanë bërë të ditur se protesta do të nisë në orën 19:00, një orar i përshtatur për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit.

Edhe protesta e një dite më parë u shoqërua me pjesëmarrje të konsiderueshme, ku mijëra qytetarë mbushën sheshin përpara Kryeministrisë dhe marshuan në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke vijuar kështu serinë e tubimeve të përditshme kundër qeverisë dhe establishmentit politik.

Të Ngjashme