Parlamenti Europian ka rrëzuar amendamentin që lidhej me Sazanin dhe Zvërnecit në rezolutën për Shqipërinë, duke miratuar dokumentin final me shumicë dërrmuese.
Ndërsa kryeministri Edi Rama ka reaguar duke e lidhur debatin me dezinformimin dhe duke mbrojtur qëndrimet për zhvillimin e zonave të diskutueshme, duke kritikuar sërish protestën.
Postimi i Ramës:
Ja edhe PARLAMENTI EUROPIAN e ndau “shapin” e stuhisë digjitale të dizinformimit nga “sheqeri” i zonës së mbrojtur Vjosë – Nartë, e cila nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin që europarlamentarët e rrëzuar me votën e shumicës dërrmuese, futën qorrazi si amendament të Rezolutës për Shqipërinë.
Tani o është çmendur dhe korruptuar krejt Europa, që përmes Parlamentit të saj e vlerëson lart Shqipërinë dhe nxit anëtarësimin tonë sa më parë në BE, o ka diçka që nuk shkon me ata që e nisën protestën e javëve të fundit me mbrojtjen e flamengove dhe po e bitisin si luftë për pushtet në emër të flamengove!
Në çdo rast flamengot do të mbrohen, Vjosë-Narta do të mbrohet, Zvërneci do të zhvillohet bazuar në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis sipas standarteve të Bashkimit Europian dhe ne do të vazhdojmë ta ngjisim Shqipërinë në majën ku ndodhet shtëpia e Europës së Bashkuar.
