Lajme

Ramabaja për mosformimin e institucioneve: Po luftohet për ditën e zgjedhjeve

Profesori universitar, Sadri Ramabaja duke folur për krizën politike dhe moskonstituimin e Kuvendit, ka thënë se LVV por edhe PDK, LDK e Aleanca po luftojnë për të caktuar ditën e zgjedhjeve, kur atyre u përshtatën më shumë.

Ramabaja për krizën politike që po përsëritet i ka vënë fajin edhe Gjykatës Kushtetuese dhe aktgjykimeve të saj.

“Po luftohet për ditën e zgjedhjes, të dy palët janë në garë të përcaktojnë afatet e zgjedhjeve të reja, që të jetë më e përshtatshme për interesat e tyre”, ka thënë ai në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.

Ai ka fajësuar edhe partitë opozitare në qasjen e tyre për çështjen e presidentit.

“Opozita nuk ka marrë mësimin e duhur as pas tri palë zgjedhjeve. Opozita ka rënë në provim”, ka thënë ai.

Refuzimin për tu takuar me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiun, të cilën e vlerësuan vetëm deputete, Ramabaja e ka vlerësuar gabim duke thënë se është interpretim “nga jurist të dobët”.

Rambaja ka thënë se opozita duhet të propozojë emrat për president, madje ai ka vlerësuar se këta emra do të mund të propozoheshin në takim me Haxhiun.

“Mundësia reale është që ata ta marrin këtë stafetë në dorë ta propozojnë një president konsensual, është njëra prej mundësive më të mira për të mos shkuar në zgjedhje”, ka thënë Ramabaja.

Ai ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për moskonstituimin e Kuvendit, duke thënë se po shkelet afati kushtetues duke e interpretuar sipas dëshirës së tyre.

Të Ngjashme