Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani ka deklaruar se sonte skadon edhe afati që, sipas tij, Vetëvendosje e ka interpretuar politikisht për konstituimin e Kuvendit.
Ramadani ka thënë se pas 5 shtatorit nuk mbetet më asnjë afat, qoftë kushtetues apo sipas interpretimit politik të Vetëvendosjes.
Sipas tij, rezultatet e zgjedhjeve janë certifikuar më 8 korrik, ndërsa seanca konstituive është thirrur më 6 gusht. Ai ka rikujtuar se interpretimi kushtetues për afatin 30-ditor, sipas tij, e çon përfundimin e afatit më 7 gusht.
Ndërkaq, Ramadani ka theksuar se interpretimi politik i Vetëvendosjes ka qenë që afati prej 30 ditësh të llogaritet nga dita e thirrjes së seancës konstituive. Sipas kësaj llogaritjeje, afati përfundon sonte, më 5 shtator, në orën 23:59.
“Jo vetëm që nuk u respektua interpretimi kushtetues për afatin e konstituimit të Kuvendit, por Vetëvendosje nuk po e respekton as interpretimin e saj politik për këtë afat”, ka shkruar Ramadani.
Ai e ka cilësuar thirrjen e vazhdimit të seancës për 9 shtator si “provokim të qëllimshëm” dhe veprim që, sipas tij, prodhon jostabilitet institucional.
“Kuvendi mund të konstituohet vetëm edhe sot. Pas sonte nuk ka më asnjë arsyetim, asnjë interpretim dhe asnjë sekondë shtesë”, ka deklaruar Ramadani./teve1.info/
